Tetë arsyet pse këtë verë duhet ta “kapni” Ledrin në ndonjë koncert!
Tashmë po përcjellim dhe kush ka përfunduar shkollën, kush universitetin, kush sezonin e punës dhe e gjitha vëmendja është fokusuar tek plazhi, pushimet dhe qejfi.
Kur përmendim këtë të fundit në mendje vijnë koncertet e ditëve dhe netëve të nxehta me shoqërinë, ku kapim edhe orët e mëngjesit me një gotë në dorë dhe muzikë të mirë.
Nëse do t’ju thonim vetëm se një nga zgjedhjet më të mira për këtë verë janë koncertet e mrs. Vulës, me siguri nuk do të na e vinit veshin. Por pasi të keni lexuar 8 arsyet e mëposhtme, do të keni 8 arsye më shumë për të blerë biletën në Alba Festival, Sunny Hill Festival apo të rezervoni hyrjen në cilindo club të afërt që ju vjen Ledri.
- Warm Up-i i DJ Gramo
Kur vjen puna tek ekipi, ekipi i Vulës ndoshta është një nga më të njohurit dhe këtu përfshihet edhe Dj i tij, Gramo, i cili ka arritur të krijojë edhe bazën e admirueseve të tij… një gjë e rrallë kjo me çfarë shohim vërdallë.
Nuk është aspak nevoja të vini vonë për të kapur reperin, pasi muzika e Gramos do t’ju ngrohë mjaftueshëm për të vazhduar mbrëmjen.
- Euforia e hyrjes do t’ju bëjë tapë!
Nëse keni vendosur që atë mbrëmje të jeni nga ata persona që vetëm pijnë një gotë dhe kullosin sytë, gaboheni sepse në momentin e parë që Vula hyn në skenë e gjithë turma elektrizohet (shkencëtarët nuk e kanë zbuluar akoma pse-në).
“Merri merri”, “U harrum” apo “Rio” janë disa prej këngëve hapëse të reperit, të cilat e nisin mbrëmjen ashtu siç amerikanët do të thonin, “nice and easy”.
Nga ana tjetër, turma do të jetë UP gjatë gjithë mbrëmjes, kështu që edhe nëse doni të pushoni pakëz apo të uleni… nuk do t’ju lërë kush
- Do të pini një gotë për shoqninë!
Shumica prej nesh vendosin të dalin mbrëmjeve me shoqërinë apo miqtë e ngushtë duke qenë se kush më mirë se ata mund të na mbajë në shina apo të na nxjerrë prej rruge.
Kështu, gotën e parë do ta pini për të gjithë miqtë tuaj më të mirë, për ata që kanë ndenjur pranë jush në borë edhe në shi, sepse shoqëria është shumë e shtrenjtë. Edhe për këtë do të sigurohet vetë reperi me këngët e tij për shoqëtinë!
- Do ta pini një gotë edhe për ish-in!
RIP për të gjithë ata që janë më të dashurën/in në koncert sepse Ledri ka ndërmend t’ju kthejë paksa në kujtesë ish-in tuaj me “Ni gotë për ty”.
Ky është i vetmi moment kur mund të ndiheni nostalgjikë apo të uleni.
- Festoni për dashurinë!
Alkooli dhe dashuria janë të rrezikshme, por kur këto të dyja i përzien me pak muzikë… eh, ku ka më mirë?
“U harrum”, “Nona”, “Fshatarja ime”, “Beautiful” apo “A jena mir” do t’ju furnizojë të jeni romantikë nëse jeni krah partnerit të zemrës.
- Do të kuptoni çfarë është festa!
Kur vjen puna teksa festa dhe fansat Ledri ka më të mirët!
Ata e ndjekin reperin kudo që shkon dhe sigurohen që e gjithë mbrëmja të jetë ndoshta, mbrëmja më e mirë që do të mund të kaloni. Muzikë ritmike, efekte speciale… dhe shumë video duke bërtitur!
- KISS KISS – Live
Lumi B dhe Ledri sapo kanë publikuar këngën e tyre më të re, “KISS KISS”, e cila do t’ju shoqërojë gjatë gjithë verës. Ritmike, (pak) dirty dhe shumë e nxehtë, “Kiss Kiss” do të jetë një nga këngët e setlistës, kështu që bëhuni gati të “kiss kiss” këtë verë… veç mos u bëni shumë pis.
- E fundit, por jo nga rëndësia: Performancat speciale të Ledrit!
Nëse euforia turmës arrin ta kënaqë mjaftueshëm Ledrin, ky i fundit do t’ju dhurojë edhe performanca speciale si kjo më poshtë.
Pra, nuk keni pse të shpenzoni mijëra euro për të udhëtuar jashtë nëpër koncerte, kur Vula është all inclusive duke ju pritur.
P.s. Arsyet u mundësuan nga dikush që e ka ndjekur Ledrin 8 herë brenda vitit dhe është gati ta ndjekë edhe 8 herë të tjera!