23:10 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Tevez i frustruar: Jemi të mbyllur, po na detyrojnë të luajmë! Ku janë lojtarët e Riverit?

Është luftë e hapur para finales së kthimit në Copa Libertadores dhe është e qartë se sfida River Plate-Boca Juniors zor se do të ketë ecuri normale, edhe nëse luhet.

Autobusi i Boca Juniors u sulmua nga tifozët e River Plate dhe disa lojtarë patën nevojë për ndihmë mjekësore.

Boca kërkon që ndeshja të mos luhet, por Conmebol ka urdhëruar të luhet, duke shtyrë ndeshjen me 2 orë.

Carlos Tevez doli para mediave dhe lëshoi deklarata të forta në emër të skuadrës së tij: “Së pari, dua t’u them familjeve tona që jemi mirë, vetëm 3-4 lojtarë janë dëmtuar lehtë. Jemi të mbyllur në dhomat e zhveshjes, nuk luajmë dot në këto kushte. Po na detyrojnë të luajmë, e pabesueshme, FIFA dhe Conmebol duan që të luhet, pa e vrarë mendjen për kushtet”.

Ndërkaq, Tevez sulmon River Plate: “Kur e sulmuan Riverin në Bombonera me gaz lotsjellës, lojtarët e tyre thanë që asnjë lojtar i Boca Juniors nuk i pyeti si ishin. Po sot, ku janë? Nuk erdhën, apo jo? Askush prej tyre nuk na ka marrë as në telefon, për të na pyetur si jemi…”.