75 Mall Live Search
12:11 / E Mërkurë, 05 Qershor 2019 / indeksADMonline

Thaçi-apel grave: Merruni me sport, ndiqeni shembullin e Majlindës, Norës dhe Distrias

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën Botërore të Sportit dhe Mjedisit ka inkurajuar gratë që të merren më shumë me sport.

Ai tha se sot në Ditën Ndërkombëtare për Ambient dhe Sport, Komiteti Olimpik i Kosovës ia ka kushtuar këtë event pjesëmarrjes së femrave në sport ashtu sikur edhe evente të tjera.

“Edhe në këtë ditë inkurajoj të gjitha femrat në Kosovë që ta ndjekin shembullin e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Kransiqit dhe shumë sportisteve të tjera që e kanë ngritur flamurin e Republikës së Kosovës gjithkund nëpër botë. Ato e kanë ngritur flamurin e Republikës së Kosovës duke fituar medaljet e arta dhe duke qenë më të mirat”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, femrat që do të merren me sport do ta kenë mbështetjen e institucioneve të Kosovës.

 “Ju duhet të besoni në aftësitë tuaja kreative në mënyrë që të realizoni ëndrrat dhe potencialet që keni për aspiratat tuaja dhe të shtetit të Kosovës për një imazh të mirë. Në këto 11 vjet të Pavarësisë sukseset më të mëdha i kanë sjellë femrat për shtetin e Kosovës prandaj ky është inkurajim shtesë që të vazhdohet edhe më tej me sukseset e radhës”, shtoi Thaçi.

Ai vlerësoi se është inkurajim shtesë që gratë të marrin pjesë në jetën sportive dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë t’iu mbështesin edhe më tepër që të arrini sukseset e Majlindës, Norës dhe Distriës.

I pari i shtetit ka përmendur edhe çështjen e vizave duke thënë se shpreson që së shpejti sportistët kosovarë nuk do të kenë telashe për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare për shkak të mosliberalizimit të vizave.

“Edhe sot në këtë ditë të rëndësishme të sportit dhe ambientit mbetet kjo ditë e optimizmit dhe shpresës për të ardhmen natyrisht duke ndodhur liberalizimi i vizave së shpejti që vendi të mos mbetet i izoluar që sportistët të mos mund të marrin pjesë në garat ndërkombëtare dhe të përmbyllet ky izolim dhe diskriminim për shtetin e Kosovës. Urime – do të kemi rrugëtim të gjatë dhe të përbashkët”,përfundoi Thaçi. /Indeksonline/