Thaçi: Besimi në SHBA, u ka sjell kosovarëve vetëm përfitime

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një konferencë shtypi në të cilën ka deklaruar se shpreh falënderim dhe mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që gjithmonë i kanë qëndruar pranë dhe kanë përkrahur në çdo hap Kosovën për liri, shtet dhe integrime evroatlantike.
“Duke filluar nga presidenti Bush i vjetër, që pati tërhequr vijën e kuqe për Serbinë në raport me Kosovën, për të vazhduar me presidentin Clitnon që udhëhoqi bombardimet e NATO-s për të fituar Kosova lirinë. Për të vazhduar me Bushin e ri që bëri Kosovën e pavarur dhe sovrane, pastaj me administratën Obama-Biden dhe tani me vendosmërinë dhe përkushtimin personal dhe lidershipin e presidentit Trump, që filloi me përkrahjen për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe fuqizimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Në të gjitha takimet që kam zhvilluar në këta 4 vjet me presidentin Trump, më ka folur për Kosovën si vend dhe popull i mrekullueshëm, javën e kalaur ishte një konfirmim tjetër i këtij përkushtimi dhe kësaj përkrahjeje. Ndjehem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për më tepër se dy vjet me administratën e presidentit Trump me përkushtimin personal të ambasadorit Grenell, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto përpjekje. Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e SHBA-së, në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë hasëm në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizmin e marrëveshjes në Shtëpi të Bardhë të gjitha këto u treguan të rreme, të paqëndrueshme dhe paragjykuese”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.
Thaçi tha gjithashtu se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturore, linjat ajrore, hekurudhat e autostradat kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës, njësoj sikur se nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Ky ka qenë synimi ynë dhe i partnerëve tanë, veçanërisht i SHBA-së, dëshmia më e mirë e kësaj është zotimi dhe veprimi konkrete që ka ndërmarrë shteti i Kosovës në luftë kundër terrorizmit global dhe ndihemi shumë mirë që jemi pjesë e këtij koalicion. Synim përfundimtar është paqja dhe stabiliteti qëndrueshëm në tërë Ballkanin Perëndimor si dhe jeta me dinjitet për qytetarët e Kosovës. Në këtë rast shprehi konsideratën më të lartë për lidershipin e presidentit të SHBA-së, presidentit Trump që e konkretizoi përpjekjen për të ecur përpara në dialogun që pritet të përmbyllet me njohje reciproke. Këshilltarit Robert O’Brien që takimi të mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe negociatat të përfundohen këto ditë. Kjo s’do të ndodhte pa energjinë dhe përkushtimin e ambasadorit Grenell, me angazhimin e tij që ky takim të jetë efikas dhe i implementueshëm. Kosova beson në lidershipin e Amerikës dhe vizionin e Washingtonit. Besimi në SHBA u ka sjell qytetarëve të vendit vetëm përfitime, që nga çlirimi, pavarësia, krijimi i ushtrisë por edhe në anëtarësim në NATO e deri në zhvillim ekonomik. Ajo që është shumë e rëndësishme është rikthimi i procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po bën dialog me Serbinë, ku kemi qenë të angazhuar për marrëveshje dhe paqe në mes dy vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Për njohje të ndërsjëlle dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve. Por që kjo të arrihet, nevojitet mbështetje e fuqishme ndërkombëtare dhe këtë mbështetje e ofron qartë, saktë dhe qëndrueshëm Washington-i”, tha Thaçi.
Presidenti tha se nevojitet edhe përqendrimi efikas i skenës politike kosovare dhe se Kosova duhet të vazhdojë të punojë që të konsolidohet qoftë në rrafshin e brendshëm, qoftë në atë ndërkombëtar.
“Kam besim të plotë se kështu do të vazhdojmë, jemi të bekuar me miqësinë e SHBA-së dhe kjo miqësi e besim do të jetë i përhershëm dhe i përjetshëm”, përfundoi ai./Indeksonline/