12:19 / E Hënë, 11 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Thaçi, do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Macroni, diskutohet liberalizimi i vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në fillim të Forumit të Paqes, në Paris.

Para darkës, presidenti Thaçi, do të ketë një takim me presidentin Macron, me të cilin do të bisedojë për perspektivën evropiane të Kosovës, me theks te veçantë te nevoja për një vendim të menjëhershëm dhe meritor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi nesër do të flasë në një panel të veçantë për sukseset dhe sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme, në Kosovë.

Forumi i Paqes i Parisit është mbajtur për herë të parë vitin e kaluar, në 100- vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore dhe synon të bëjë bashkë udhëheqës të shteteve, të organizatave kryesore ndërkombëtare dhe të institucioneve të tjera, që të bashkëpunojnë për arritjen dhe forcimin e paqes në botë./Indeksonline/