14:31 / E Premte, 07 Qershor 2019 / indeksADMonline

Thaçi e Vuçiq me qëndrime të kundërta për respektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçin dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq kanë marrë pjesë në një panel të përbashkët në forumin ‘GlobSec’ që u mbajt në Sllovaki.

Thaçi në fjalimin e tij tha se tani Kosova ka sistemin e drejtësisë të integruar, policinë multietnike, doganierë në pikat kufitare Kosovë-Serbi, janë hequr barrikadat, nuk ka probleme ndëretnike, janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale ku ka marr pjesë edhe komuniteti serb, raporton Indeksonline.

“I shpreh mirënjohje presidentit serb që i ka vizituar ata gjatë fushatës dhe ka aspekte të marrëveshjes që janë zbatuar dhe do të zbatohen edhe në të ardhmen. Kosova do të zbatoj marrëveshjen për themelimin asociacionit sipas kushtetueses, por fatkeqësisht Lista Serbe nuk ka lejuar qytetarët të jenë pjesë e jetës politike dhe të shkruajnë statutin e asociacionit nga ana serbe, ata duhet të punojnë më shumë për marrëveshjen për integrimin e kufirit, energjisë që janë shumë të rëndësishme”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë,  më shumë se 70 % e qytetarëve e duan një marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të ecet drejt BE-së.

“Ne kemi krijuar një ekip negociator që do të merret me dialogun dhe janë plotësisht të unifikuar në këtë çështje. Qytetarët e Kosovës duan të jetë një marrëveshje Kosovë-Serbi që do të qonte në integrim të vendit dhe zhvillim ekonomik të vendit për një jetë më të mirë. Ne jemi të izoluar nga BE sa I përket vizave, e dimë që kjo nuk është çështje që ka të bëj me Serbinë, por shpresojmë të arrijmë këto objektiva. Serbia nuk e ka zbaruar marrëveshjen për energjinë, integrimin e kufijve, ka ndaluar hapjen e urës në Mitrovicë për të mundësuar bashkimin e qytetit. Kurse, sa i përket asociacionit, Prishtina  e ka përmbushur pjesërisht sepse ne kemi ekipin që do të merret me statutin e asociacionit”, ka shtuar Thaçi.

Deklaratës së tij i është përgjigjur Vuçiq,  i cili ka thënë se Serbia e ka respektuar 100% marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Kanë kaluar vetëm gjashtë vite që kur kemi nënshkruar marrëveshjen dhe dua të them se ata që duan të luajnë në mënyrë të qartë, unë shqetësohem për dialogun sepse është shumë thelbësore për ne të arrijmë një marrëveshje dhe s’dua ta prezantoj vendin në komunitetin ndërkombëtar si një vend që është i gatshëm të shkatërroj paqen dhe të tjerët janë engjëj, e serbët e prishin këtë, jam i lodhur me këtë. Nuk ka askush në këtë dhomë, ë përfshirë edhe Thaçin që mund të thotë se nuk i kemi respektuar marrëveshjet. Situata po bëhet gjithnjë e më e komplikuar dhe shpresoj që diskutimi i sotëm të na ndihmojë të arrijmë paqe”, ka theksuar Vuçiq.

Sipas tij, diskutimet për energjinë dhe telekomin duhet të intensifikohen nga të dyja palët, kjo është pika e vetme ku përmendet energjia.

“Thaçi tha para dy ditësh se nuk do të zbatoj këtë marrëveshje për asociacionin dhe tani thotë dicka tjetër. Ne do të zbatojmë atë marrëveshje bazuar në vendimin e kushtetueses”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq. /Indeksonline/