Thaçi ende s’ka folur për aktakuzën, por kjo ishte përgjigja e tij nëse merr ftesë zyrtare

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ende nuk është deklaruar rreth aktakuzës të publikuar nga Gjykata Speciale ditën e djeshme. Të vetmin reagim e ka bërë përmes një përmes publikimit të një fotografie (emblemën e UÇK-së) në cover-in e tij të “Facebook”-ut.
Por, çfarë kishte deklaruar më parë Thaçi kur ishte pyetur nga gazetarët rreth ftesës eventuale nga Gjytata Speciale,
Indeksonline ua sjellë një video gjatë një konference për media të numrit një të shtetit.
“Çdo moment që vjen një ftesë edhe në adresën time, me përgjegjësin më të lartë morale, kombëtare, politike, kushtetuese dhe ligjore një kërkese të tillë do t’i përgjigjem me transparencën më të plot”, kishte thënë ai.
Ndryshe, Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, janë të akuzuarit e parë nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Ata akuzohen për 100 vrasje ku përfshihen viktima shqiptarë, serbë, romë dhe kundërshtarë politikë.
Në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar theksohet se më 24 prill të këtij viti është deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat: vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale, e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në komunikatë. /Indeksonline/
