Thaçi falënderon kryesuesit e Ekipit Negociator, fton LDK-në dhe VV-në t’iu bashkëngjiten
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot është takuar me kryesuesit e Ekipit Negociator, Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin.
Përmes një postimi në Facebook, pas këtij takimi, Thaçi ka falënderuar kryesuesit p-ër gatishmërinë e tyre që të marrin përgjegjësi dhe njëkohësisht ka bërë thirrje për të gjitha subjektet politike, që të bashkohen dhe të flasin me një zë për Kosovën.
Ky është statusi i tij:
“Me kryesuesit e Ekipit Negociator, Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, sot biseduam për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ne, së bashku, do të koordinohemi përgjatë gjithë procesit të bisedimeve me Serbinë dhe këtë momentum të krijuar do të mundohemi ta shfrytëzojmë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila Kosovës duhet t’ia sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE.
Për Republikën e Kosovës është shumë e rëndësishme që ne ta forcojmë edhe më shumë unitetin e krijuar politik.
Si President i Kosovës, i falënderoj kryesuesit e Ekipit Negociator për gatishmërinë e tyre që të marrin përgjegjësi dhe u bëjë thirrje edhe një herë të gjitha subjektet politike, që të bashkohen dhe të flasin me një zë për Kosovën. HTH”, ka shkruar Thaçi./Indeksonline/