Thaçi: Familja Jashari asnjëherë nuk ndaloi së sakrifikuari për liri dhe pavarësi
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar sulmin e xhandarmërisë serbe që ndodhi 21 vite më parë mbi familjen Jashari në Prekaz.
Sipas tij, sulmet e vazhdueshme mbi këtë familje, e cila dallohej për atdhetarizëm dhe veprime të guximshme kombëtare, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitej të shtypte me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë, transmeton Indeksonline.
“Familja Jashari, me idealizëm dhe ndërgjegje të lartë njerëzore, politike e kombëtare, asnjëherë nuk ndaloi së sakrifikuari për liri dhe pavarësi”, ka shkruar ai mes tjerash.

Shkrimi i tij i plotë:
Para 21 vjetësh, më 22 janar 1998, ka ndodhur sulmi i dytë i armatosur i forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz. Sulmet e vazhdueshme mbi këtë familje, e cila dallohej për atdhetarizëm dhe veprime të guximshme kombëtare, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitej të shtypte me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë. Familja Jashari, me idealizëm dhe ndërgjegje të lartë njerëzore, politike e kombëtare, asnjëherë nuk ndaloi së sakrifikuari për liri dhe pavarësi. Historitë e popujve kanë rrëfime të ndryshme për shumë heronj, por komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli. HTH