10:06 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi, Haradinaj e Pacolli takohen me presidentin e KE-së, flasin për vizat

Presidenti i Kosovës, së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, zhvilluan një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Thaçi ka falënderuar kryetarin Tusk për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vitet e fundit, duke mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Si shteti më pro-evropian, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë nevojë për qartësi dhe dinamikë të re të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të bëhen pjesë e mobilitetit në Evropë, përmes liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjes në tregun evropian.

Në këtë takim është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e reformave dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.