75 Mall Live Search
14:12 / E Enjte, 24 Mars 2022 / LB

“Thaçi i pikëlluar me vdekjen e Madeline Albright”

Bekim Çolllaku ish ministër i Integrimeve Evropiane e ka vizituar ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë.

Ai ka shkruar se pikërisht në 23 vjetorin e bombardimeve të NATO-s i ka rastisur ta vizitoj Thaçin në Hagë.

Çollaku ka shkruar se presidenti Thaçi ishte tejet i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e ish sekretares amerikane të Shtetit Madeline Albright, me të cilën Thaçi bashkëpunoi ngushtë për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit për liri.

“Evokuam shumë kujtime të asaj kohë, nga më të ndryshmet. Sigurisht, të gjithë i kujtojmë ato ditë të rënda për Kosovën dhe popullin tonë. Mirëpo ishin luftëtarët e lirisë, presidenti Clinton, sekretarja Albright, kryeministri Blair dhe shumë mbështetës tjerë që na e mbanin gjallë shpresën se ditët e lirisë po afroheshin. Vërtet është e dhimbshme dhe padrejtësi e madhe të mbahen në paraburgim njerëzit që bartën barrën më të madhe historike për liri 23 vjet më pare”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.

Postimi i plotë:

Sot, 23 vjet pas, kur kujtojmë bombat e para të NATO-s që u hodhën mbi Serbinë, më rastisi ta vizitoj presidentin Thaçi në Hagë, i cili me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë e bëri të mundshëm edhe intervenimin e NATO-s. Por sot, Presidenti Thaçi ishte tejet i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright, me të cilën bashkëpunoi ngushtë për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit tonë për liri.

Evokuam shumë kujtime të asaj kohë, nga më të ndryshmet. Sigurisht, të gjithë i kujtojmë ato ditë të rënda për Kosovën dhe popullin tonë. Mirëpo ishin luftëtarët e lirisë, presidenti Clinton, sekretarja Albright, kryeministri Blair dhe shumë mbështetës tjerë që na e mbanin gjallë shpresën se ditët e lirisë po afroheshin. Vërtet është e dhimbshme dhe padrejtësi e madhe të mbahen në paraburgim njerëzit që bartën barrën më të madhe historike për liri 23 vjet më parë.

Por, Hashim Thaçi edhe sot ishte shumë krenar. I tillë është edhe Kadri Veseli të cilin e takova gjithashtu sot. Të tillë janë edhe Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjitha ata që po mbahen aty padrejtësisht. Të gjithë e ndjejmë mungesën e tyre në Kosovë, por njëkohësisht edhe krenohemi me kontributin e tyre të madh, vendosmërinë, vizionin dhe dashurinë e madhe që e kanë për Kosovën. Në këtë ditë të veçantë, ua përcjell nga Haga të falat më të përzemërta të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.