11:48 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Jemi të gatshëm të mbyllim kapitullin e konflikteve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë miqësore telefonike me nikoqirin e Samit të Sofjes, Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov.

Thaçi ka bërë të ditur se me Borissov kanë diskutuar për rëndësinë dhe mundësinë që ofron ky samit për të sqaruar rrugën evropiane për Kosovën, shkruan Indeksonline.

I pari i Presidencës ka siguruar kryeministrin bullgar se Kosova është e gatshme të mbyllë kapitullin e konflikteve me Serbinë dhe të arrijë paqe.

“Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE”, ka thënë Thaçi në një postim në facebook.

Postimi i plotë i tij në facebook:

Vetëm pak ditë përpara mbajtjes së Samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, sot përsëri zhvillova një bisedë miqësore telefonike me nikoqirin e këtij Samiti, Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.
Së bashku, diskutuam sërish për rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron ky Samit për të qartësuar rrugën evropiane për Kosovën dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE.
Brenda këtij konteksti, për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes obligative ligjore për normalizim dhe pajtim. Unë e sigurova mikun tim Bojko se ne në Kosovë, jemi të gatshëm që në relacion me Serbinë ta mbyllim kapitullin e konflikteve dhe ta hapim atë të paqes.
Këtë frymë të paqes dhe të bashkëpunimit, unë do ta përcjell në emër të qytetarëve tanë edhe në Samitin e Sofjes, sepse ne jemi evropianë dhe sjelljet tona duhet të jenë të tilla.
Ky ishte mesazhi im kryesor për mikun tim Boyko, i cili meriton respekt dhe konsideratë të lartë për organizimin e këtij Samiti. HTH