22:07 / E Mërkurë, 27 Maj 2020 / indeksADMonline

Thaçi: Ju jeni të frikësuar nga Kurti, që shtynë njerëzit në vetëvrasje e vrasje siç ndodhi me studentin në karantinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar përsëri lidhur me vendimin që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese lidhur me qeverisjen e vendit.

Thaçi tha se sa i përket këtij vendimi që pritet të nxirret nga Kushtetuesja, nuk ka ndonjë opinion dhe s’dëshiron të shprehë ndonjë opinion për arsye se po keqkuptohet dhe keqinterpretohet shpesh.

“Jemi përmend edhe në deklaratë të tyre pas kërcënimit që z.Kurti i ka bërë Gjykatës, nuk e di pse e kanë përfshi edhe Presidencën ku realisht në asnjë deklaratë apo veprim, përpos mbështetjes së punës së paanshme të Kushtetueses, askush nga Presidenca apo as unë s’kemi pasur ndonjë deklaratë në kuptim në drejtim të kësaj gjykatë. Unë e kam obligim që të punojë për mbrojtjen dhe funksionimin demokratik të institucioneve të vendit sepse autoriteti edhe përgjegjësitë e mija nuk dalin nga Gjykatë Kushtetuese, por nga Kushtetuta dhe mbrojtja e punës së paanshme i takon edhe Presidencës. Andaj ne duhet që të gjithë të zotohemi për respektimin e vendimit. Unë nuk jam në betejë me Kurtin”, tha Thaçi, transmeton Indeksonline.

Madje presidenti tha se as mediat as shoqëria civile as të huajt nuk reaguan për shkeljet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Ne kemi një njeri që realisht brenda 60-70 ditëve ka shkelur dy herë Kushtetutën, pra është z.Kurti dhe tani ka uzurpuar zyrën e kryeministri. Me dy shkelje të rënda dhe me një shkarkim nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 dhe kemi uzurpim të zyrës së kryeministrit dhe po sillet në mënyrë të jashtëligjshme. Kemi pasur dy raste kur dy president janë larguar nga aty për shkak të shkeljeve dhe kanë treguar kulturë politike me largim. Shqetësuese është mos-reagimi i opinionit publik, askush nga shoqëria civile, mediat apo faktori i huaj,  pra pse nuk reagojnë? Sepse jeni të frikësuar e të shantazhuar nga Kurti dhe grupi i tij. Unë si president as nuk frikësohem, as nuk shantazhohem por mbroj Kushtetutën, ligjin dhe shtetin e demokracinë. Nuk dua të lejojë në asnjë rrethanë që gjëra të tilla të tejkalohen kaq lehtë, jam në mbrojtje të Kushtetutës dhe jo në luftë me Kurtin. Shqetësimi është i heshtjes, nga frika apo nga interesi”, tha Thaçi në TV Dukagjini.

Thaçi tha se nuk ndodhë askund në botë që kryeministri në kohë pandemie të organizojë protestë.

“Kundër institucioneve të cilat është brenda, kjo është shqetësuese dhe shumë fëmijërore dhe shumë një sjellje e papërgjegjshme institucionale që nuk ka të bëjë fare me respektimin e institucioneve, në besimin në shtet e në këtë shoqëri, por vetëm t’i përdorë ato institucione për ngadhënjimin e revolucionit të synuar të tij ideologjik. Për çka duhet të mbajë protestë, apo paradat e mëhershme. E për çka t’i fus njerëzit në karantinë, e t’i shtyjë deri në vrasje siç ndodhi me studentin e Gjilanit ndërsa bashkëpartiakët e tij i lëshon në shtëpi. Është jo-ligjore. Mendoj se të gjitha këto janë publike, të gjithë ata që ishin të interesuar i dinë. Rasti i studentit nga Gjilani është shumë i njohur, janë deklarimet edhe të familjarëve të tyre, që zyrtarët duke filluar nga zyra e kryeministrit kanë nxitur apo kanë quar në shtytje për vetëvrasje apo vrasjen që i ka ndodhur studentit”, shtoi ai./Indeksonline/