17:46 / E Enjte, 25 Korrik 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Kontributi i Demaçit do të nderohet gjithmonë nga Kosova

Presidenti Hashim Thaçi sot ka bërë homazhe në 1-vjetorin e vdekjes së veprimtarit shqiptar Adem Demaçi, teksa ka thënë se vlera dhe kontributi i tij do të nderohet dhe kujtohet gjithmonë nga shteti i Kosovës.

I pari i shtetit ka thurur lavde për veprimtarin e ndjerë të kombit shqiptar, duke e cilësuar si njeriun që gjithë jetën ia kushtoi lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

“U mbush një vit pa simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, njeriu që gjithë jetën e vet ia kushtojë lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, njeriut të orientimit euroatlantik, mund të themi lirisht dhe themeluesit dhe babait të pavarësisë së Kosovës. Vlera dhe kontributi i angazhimit të Adem Demaçit do të nderohet dhe kujtohet gjithmonë nga shteti i Kosovës, sikur që është sot me nderime shtetërore. Në të njëjtën kohë, do të jetë një vlerë e respektuar dhe e vlerësuar lart nga i gjithë kombi shqiptar, sikur që do të jetë e vlerësuar nga bota demokratike. Çdo nderim për Adem Demaçin është nderim për sakrificën e gjithë atyre njerëzve që kanë rënë për lirinë e Kosovës, për luftën e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vuajtjet e kaluara në burgjet serbe”, tha presidenti Thaçi.

Përkundër insistimit, presidenti Thaçi nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet sa i përket gjendjes aktuale politike në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.