21:23 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi: Kosova nuk është Siri, Rusia nuk mund të përfshihet në dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë në Zona B, në Klan Kosova ka folur rreth dialogut Kosovës -Serbi.

Ai ka njoftuar se shumë shpejt do të fillojë edhe ky dialog në nivel presidencial, dhe se tashmë Kosova ka nisur përgatitjet për këtë dialog.

Sipas tij, tashmë kanë filluar bisedimet edhe me shoqërinë civile.

“Nuk duhet të koncentrohen të gjitha në presidencë për dialog. Dialogu ka qenë një element që e ka mbajtur Kosovën në një agjendë pozitive në rrafshin ndërkombëtarë. Nuk është marrje e autoritetit nga ana presidenciale, por përfaqësimi do bëhet në nivel të barabartë. Kjo ka qenë kultura. Ne po punojmë që të nderojmë një ekipe të përbashkët, ku do të ketë përfaqësues edhe na shoqëria civile, dialog ky që do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe presim të përfundojë me njohje reciproke. Procesi është mjaftë i vështirë, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe shumë të përgatitur”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka folur edhe për përfshirjen e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të ndodh.

“Nuk do të ndodh një gjë e tillë. Kosova nuk është Siri, ku do të përfshihen të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Ndryshe, ai ka folur edhe për mundësinë e tij që të kandidojë edhe për një mandat të presidentit.

“Kosovës i duhet në reformë elektorale, dhe reformë zgjedhore për zgjedhje e presidentit, pra që ai të zgjidhet drejtpërdrejt. Gjithashtu duhet të ketë dhe reforma për zgjedhjet lokale. Është punuar shumë për reformën elektorale dhe nga janari do të kemi mundësi të ulemi përsëri dhe t’i japim një shtytje reformës elektorale, do të ishte në interes për vendin që presidenti të mos zgjidhet siç është tani, por duhet qytetarët ta zgjedhin atë në mënyrë të drejtpërdrejt. Nëse ndodh reforma, mundësia është që të konkuroj. Edhe gara do të jetë më interesante, do të ishte demokraci e shëndoshë për institucionin e Presidentit.”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, shumë shpejt do të botohet një libër për të cilën është intervistuar edhe presidenti, Hashim Thaçi.

Thaçi  ka treguar se ky libër që është shkruar nga dy gazetarë të njohur britanikë nuk flet vetëm për të.

“Realisht, libri nuk është i imi, unë jam intervistuar nga dy gazetarë britanezë, sikur shumë të tjerë edhe në vend, edhe në rajon, por edhe akterë të ndryshëm ndërkombëtarë që kane qenë të përfshirë në luftë, ashtu si edhe pas luftës. Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë në atë libër”./Indeksonline/