12:17 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Kosova sa më parë të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së

Për nder të festës së 28 Nëntorit, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë homazhe në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz.

Nga aty Thaçi tha se lufta e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij është bazamenti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Sot, shteti i Kosovës dhe gjithë kombi shqiptar kujton me respekt, pietet të lartë sakrificën sublime të familjes Jashari, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe gjithashtu paraqitjen publike të UÇK-së. Lufta në Prekaz, lufta e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes së tij, bashkëluftëtarëve të UÇK-së është bazamenti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i identitetit dhe krenarisë së shtetit të Kosovës. Prandaj, e ritheksoj çdo herë Prekazi është një burim frymëzimi për të gjithë edhe respekt për të kaluarën, por edhe për realizimin e objektivave për të ardhmen që Kosova si shtet të jetë sa më parë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, që të jetë një shtet i progresit, i zhvillimit, i mirëqenies dhe shtet që çdo qytetar i Kosovës do të ndjehet mirë dhe krenar për të jetuar”, tha ai.