09:15 / E Enjte, 05 Tetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi krenohet me shqiptarët që arritën në majat e administratës amerikane pa të njohshëm, komentuesit ia kujtojnë Klanin Pronto

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, është përkujdesur që t’ia bëjë një befasi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kur këto ditë e priti atë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Pas takimit zyrtar, ai e ka njoftuar kreun e shtetit të Kosovës me dy të rinj me origjinë nga Kosova, të cilët punojnë në shtëpinë më me ndikim në botë. Janë këta Yll dhe Ylber Bajraktari, shkruan AktivPress.

E, këtë moment presidenti Thaçi nuk ka ngurruar ta bëjë publik në profilin e tij në Facebook. Aty ka shkruar se i është bërë zemra mal me të arriturat e këtyre dy djemve. Mirëpo, Thaçi ka shkruar një fjali, e cila më pas i është kthyer “bumerang”  nga lexuesit dhe komentuesit në rrjetin social.

“Ylli dhe Ylberi, me punë dhe vetëmohim, pa të njofshëm e pa hile, arritën në majat e administratës amerikane”, ka shkruar ai.

Menjëherë kanë pasuar reagimet e ndjekësve  të tij në Facebook.

Ata e kanë bërë përgjegjës të parin e Kosovës, që të rinjtë e zot në vendin e tij nuk kanë perspektivë.

“Pronto President, aty s’ka met njofshum me hi. Ske faj rast i rond me kuptu per ty.  A ne Kosove ky Ylli edhe Ylberi, u dasht me ju “dorzu” Grabovcit perndryshe ishine kone te pa pune”, ka shkruar një nga komentuesit.

“Normal që pa hile e pa të njofshëm se aty nuk sundon Klani PRONTO. Mashtrues!”, i ka shkruar tjetri.

E një tjetër komentuese ka pyetur atë nëse djemtë që punojnë në Shtëpinë e Bardhë janë krenar me presidentin e Kosovës, shkruan AktivPress.

“President.. o sa mire me qene shqiptarë ne toke te huaj….atje ska te njofshem, atje flet dija jo klani. Ju lumte djemave per arritjet, e juve president spo di qka me ju thene tjeter vetem se beje Kosoven tone te dashur ashtu si Amerika….pa te njofshem president. A thu u ndjene krenarë ata me ty??!!.”, ka shkruar ajo.

E komentet kanë vazhduar me të njëjtën frymë.

“Ti je ai qe e ke bere sistemin e vetum te njohur ne Kosovë”me te njoshum”, i ka shkruar një tjetër komentues.

“Aty nuk ka me të njofshëm, aty mbizotëron cilësia dhe mundësia për sëcilin. E këtu tek ne kryej 20 fakultete ke me mbetë në shtëpi dhe i ruan lopët. Komplet skena politike në Kosovë është e tillë, që kriter për punësime e ka njoftësin”, ka shkruar tjetri.

Mirëpo, nuk kanë munguar as komentet pozitive për Thaçin, ndonëse ato kanë qenë të pakta.

Një nga mbështetësit e presidentit ka shkruar: Rrini ju o injorant që as gjën m t vogel nuk keni ber per vendin tuaj e sot m patriot se patriotat e vertet. e ty president respekt veq perpara me USAn mos ju ndaj se historia do tju tregoj kush jeni. XHorxh Washingtoni i Kosoves.

Partitë politike në Kosovë shpesh janë kritikuar nga shoqëria civile për punësime  të njerëzve mbi baza të përkatësisë partiake e jo profesionale. /AktivPress