Thaçi: Krimet e luftës, në Kosovë, janë hetuar më gjatë se krimet e Luftës së Dytë Botërore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit ka goditur bashkësinë ndërkombëtare për moshetimin e krimeve të shtetit serb në Kosovë.
Ai ka theksuar se Kosova edhe pse ka qenë viktime është ndjekur e gjykuar më shumë se agresori, që ka qenë shteti i Serbisë, i cili ka kryer spastrim etnik e gjenocid ndaj popullatës civile.
Thaçi u bëri thirrje prokurorëve që të mos e bëjnë gabimin e njëjtë që ka bërë UNMIK-u dhe EULEX-i, që nuk kanë ndjekur kriminelët serbë për krimet në Kosovë, si edhe të rrinë sa më larg nga ndikimi politik, por edhe nga ndërhyrjet apo reagimet e zyrtarëve ndërkombëtarë.
Edhe gjatë përkujtimit të Masakrës së Reçakut, Thaçi ka goditur ndërkombëtarët për amnistimin e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë, duke mos i ndjekur kriminelët, por duke ia lënë këtë në dorë Serbisë, e cila gjithçka ka bërë është glorifikimi dhe shpallja heronj e kriminelëve pikërisht për shkak se kanë kryer krime në Kosovë.