06:11 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi kritikoi Specialen në prag të aktakuzave të para

Kritikat e ashpra të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit karshi Gjykatës Speciale dhe bashkësisë ndërkombëtare vlerësohen jo të sinqerta, pasi që ishte pikërisht ai që vite më parë kërkoi nga Kuvendi që ta votojë këtë institucion ndërkombëtar të drejtësisë, duke këmbëngulur madje se Specialja nuk do ta njollosë luftën e drejtë të UÇK-së.

Thaçi gjatë ditës së djeshme, përpos që u shpreh pesimist se Specialja do të vërë drejtësinë në vend, shpërfaqi edhe “kushtet” që ndërkombëtarët ia kishin vënë Kosovës për ta pranuar Gjykatën Speciale, shkruan tutje “Zëri”.

Mirëpo ekspertët e çështjeve juridike në Kosovë konsiderojnë se këto kritika të ardhura nga Thaçi pikërisht tash kanë të bëjnë me ofrimin e fillimit të punës së Speciales, rrjedhimisht ngritjen e aktakuzave të para.

Po ashtu “kushtet” e vëna nga ndërkombëtarët për themelimin e Speciales ata i shohin si “pazare” tejet shqetësuese.