75 Mall Live Search
12:29 / E Enjte, 27 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Më 8 janar, ekipi negociator shkon në Bruksel, unë në Brezovicë për skijim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur konferencën e fundvitit me gazetarë, ku ka folur për zhvillimet që karakterizuan 2018-tën.

Ai tha se do të punohet shumë seriozisht duke iu përgjigjur edhe nevojave të vendit, qytetarëve që në muajt e ardhshëm të ndodh dialogu dhe negociatat mes dy vendeve dhe të arrihet një marrëveshje obliguese që Kosova të fitoj njohjen nga Serbia dhe të krijohen mundësi për ndryshimin e rezolutës 1244, raporton Indeksonline.

“Kjo do të ishte marrëveshje e balancuar mes Kosovë dhe Serbisë dhe kemi mbështetje të fuqishme nga SHBA. Mbështetja e SHBA-ve është shumë e qartë e që ka krijuar një rrethanë të re në këtë proces, në mënyrë që sa më parë të arrihet një marrëveshje”, ka theksuar Thaçi.

Duke folur për Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ka thënë se i mbështet plotësisht kërkesat e tyre.

“Tani i mbështes banorët e Luginës më shumë se sa gjatë verës. Ekipi negociator ka dhe do të ketë përkrahjen time të plotë, ndërsa edhe në takimin e djeshëm, e të sotëm ku morën pjesë edhe ambasadorët e Quintit, kemi theksuar të gjithë pa dallim se Kosova është gati për dialog, për një marrëveshje finale dhe do të jetë e bekuar për të respektuar letrën e presidentit Trump që marrëveshja finale të arrihet”, ka potencuar Thaçi.

Sipas tij, delegacioni i Kosovës ka përgjegjësi të plotë nga të përzgjedhurit e popullit në Kuvend të Kosovës.

“Unë do ta përkrah plotësisht punën e ekipit negociator, kur ata të kërkojnë ndonjë këshill, takim për të biseduar, unë do të jem gjithmonë në dispozicionin e tyre, gjithmonë sipas përgjegjësisë ligjore dhe kushtetuese që kam. Kam takuar Limajn dhe Ahmetin si bashkëkryesues të ekipit dhe sot me tërë ekipin. Tash pas letrës së Trumpit, është e qartë se SHBA është mbështetëse e dialogut, nuk ka ndonjë dilema a e mbështet Amerika dialogun, prandaj uroj që marrëveshja të bekohet në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Donald Trump, siç ka thënë edhe vet ai. Uroj të ndodh takimi i 8 janarit për shumë arsye. Kur ata të shkojnë në Bruksel me 8 janar, unë do të jem në Brezovicë për skijim. Të gjitha vendet e rajonit kanë konfirmuar mbështetje për dialogun me Serbinë, ma thanë edhe javën e kaluar kur isha në Bruksel”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, ekipi negociator tani është forcuar shumë pasi po marrin pjesë politikanë, shoqëri civile e shumë personalitete tjera.

Sa i përket sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë Gjykatës Speciale, presidenti Thaçi tha se nuk ka asgjë për të fshehur në këtë drejtim.

Ai thotë se të gjithë njerëzit e Kosovës kanë kaluar nëpër sistemin e drejtësisë dhe kanë dalur të pafajshëm.