23:57 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2020

Thaçi me mesazh për Kurtin, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pasi ky e akuzoi gjatë ditës se sa kishte qenë kryeministër, kishte bërë një marrëveshje të fshehtë me NATO’n. Ndonëse nuk ia ka përmendur atij emrin, Thaçi i ka çuar një këshillë Kurtit nga Uashingtoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Departamentin e Shtetit, se politika kosovare, partitë politike dhe qeveria duhet të orientohen dhe të marrin vendimet që i përkasin kultivimit të partneritetit strategjik me SHBA.

Duke komentuar për Zërin e Amerikës menjëherë pas takimit, ai tha se “është qëndrim i qartë i SHBA që Kosova ka nevojë të prodhojë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimin e saj ekonomik.”

“Nuk është i këshillueshëm konfrontimi me dikë për të lënduar raportet strategjike me SHBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Por para së gjithash ne jemi të bekuar me këtë interesim të ri dhe konkret të SHBA për Kosovën,” tha Presidenti i Kosovës.

Zoti Thaçi tha se i kërkoi Sekretarit Pompeo që roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Ai tha se kishte marrë zotimin e tij e në të njëjtën kohë kishte shfaqur edhe zotimin e Kosovës “që të jemi sa më shpejtë pjesë e Natos, sepse kemi një ushtri profesionale dhe multietnike.”

Zoti Thaçi komentoi edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan shkelje të Kushtetutës nga zoti Thaçi kur ishte kryeministër lidhur me marrëdhnëniet e FSK-së me NATO-n, Presidenti i Kosovës tha: “Kosova është e bekuar që ka Naton në Kosovë dhe ky partneritet vetëm sa do të avancohet derisa të jetë Kosova pjesë e Natos. Shqetësim për Kosovën është paranoja për Naton dhe jo prezenca e Natos.”

Presidenti Thaçi u prit gjithashtu me ceremoni në Departamentin e Mbrojtjes.

Mos i humb