Thaçi mesazh Kurtit: Mos u ngut të marrësh vendime, që e çojnë vendin në drejtim të gabuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë shtypi, ka bërë të ditur se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e tij që të takohen sot, në tri orare të mundshme, shkruan IndeksOnline.
Thaçi ka thënë se ky takim duhet të ndodhë që të kenë përafrime politike për hapat e mëtejmë.
Presidenti dha një mesazh për Kurtin, duke thënë që të mos ngutet të marrë vendime që e dërgojnë vendin në drejtim të gabuar.
“Fatkeqësisht edhe pse kryeministri Kurti dhe kryetari i VV’së kishte konfirmuar pjesëmarrjen, 5 minuta para fillimit e ka anuluar. Por përsëri në shërbim të obligimeve kushtetuese e kombëtare, edhe dje e kam ftuar që të takohemi dhe të bisedojmë për zhvillimet e reja, që janë dramatike dhe shqetësuese për Kosovën. Ma tepër dramatike se çdo zhvillim”, tha ai.
“Edhe sot përsëri kishte refuzim për të ardhur në takim, në tri mundësi. Do të ishte me interes që të gjithë të shpenzojmë energji. Kosova nuk është pronë e një individi. Kosova është pronë e qytetarëve të saj. Është përgjegjësi e cdo lideri. Ne duhet të punojmë dhe të shkojmë përpara me qëndrime unike. Qëndrimi unik është forcimi i shtetit brenda”, ka shtuar presidenti.
Tutje ai ka thënë se Kurti duhet të mos vonohet në marrjen e vendimeve në mënyrë që të mos e çojë Kosovën në drejtim të gabuar.
“Dua të shpresoj që kryeministri të gjej kohë për t’u takuar, e ka përgjegjësi, në mënyrë që të mos ndodh takimi ynë i pavlerë, në ndonjë vendimmarrje të papritur që mund të vjen për shtetin tonë dhe për qytetarët tonë”, tha ai.
Thaçi shtoi se shpreson që kryeministri Kurti do të gjejë kohë që të takohen në ditët në vijim, për shkak të përgjegjësisë që ka./IndeksOnline/