17:58 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Thaçi në Kanada: E ardhmja jonë është në NATO (Video)

(I plotësuar, 18:25)-Përgjatë fjalimit të tij në Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Kanadasë – diskutim me deputetët për Kosovën dhe rajonin, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se tashmë të gjithë në Kosovë e kanë kuptuar se e ardhmja është në NATO.

“Ne kemi kuptuar se e ardhmja jonë është ne NATO dhe jemi në rrugën e drejtë që të jemi një shembull i paqes dhe zhvillimit”,ka thënë Thaçi, transmeton Indeksonline.

Kreu i shtetit tha se për pesë vjet Kosova dhe Serbia janë angazhuar në dialog, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të dyja shteteve dhe për herë të parë janë nënshkruar marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë të rëndësishme edhe për paqen në rajon.

“Jemi duke punuar për fqinjësi të mirë dhe pajtim ndërmjet dy shteteve dhe ne promovojmë dialogun në rajon, ku kemi marrëdhënie të mira me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë”, është shprehur ai.

Ndër tjera, shefi i shtetit ka thënë se sfida kryesor e Kosovës është konsolidimi i shtetit në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se Rusia ka tentuar të pengojë anëtarësimin e vendit tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka shprehur rëndësinë e mbështetjes së Kosovës për anëtarësim në Interpol, me qëllim të rritjes së sigurisë në luftën kundër terrorizmit.

Ai ka tërhequr vërejtjen se shtyrja e proceseve evropiane hap rrugën për ideologjitë e huaja, si ato ruse për të depërtuar në Ballkan.

Thaçi ka përmendur edhe emërimin e prokurorëve serbë në veri, të cilët implementojnë ligjet e Kosovës, si pjesë e dialogut të zhvilluar në Bruksel me Serbinë, ndërsa ka folur edhe rreth FSK-së, për të cilën tha se ka më shumë se dhjetë për qind nga radhët e minoriteteve.

Ndër tjera, presidenti Thaçi tha se në Kosovë ka tolerancë ndërmjet të gjitha religjioneve

………………………………………………………………….

Thaçi në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kanadasë (Video)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është në Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Kanadasë – diskutim me deputetët për Kosovën dhe rajonin.

Gjithashtu Thaçi pritet që sot të zhvillojë edhe takime të tjera përgjatë vizitës së tij zyrtare të cilën po zhvillon në Kanada./Indeksonline/