Thaçi: Në Uashington kërkova vazhdim të dialogut pa pezullim të taksës, përgjigja ishte jo
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit nga Uashingtoni ku mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij lidhur me taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.
Thaçi ka thënë se atje ka kërkuar që të vazhdohet dialogu pa e hequr taksën, por që përgjigja që ka marrë është së paku pezullimi i taksës.

Ai thotë spektri politik këtë duhet të bëjë këtë në mënyrë që të mos dëmtohet raporti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne duhet të vazhdojmë të investojmë fuqishëm për të ruajtur marrëdhënien me ShBA-të. Një kultivim i marrëdhënieve të shtetit tonë siguron të ardhme dhe anëtarësimin në organizatat NATO dhe OKB. Mendoj se kjo këshillë duhet të respektohet, jo për tu hequr por për ti dhënë mundësi që përmes pezullimit të përkohshëm, për një angazhim të gjithanshëm ndërkombëtar. Në mënyrë siç ka pasur Kosova rol në Rambuje e kudo, të jemi edhe tani të përgjegjshëm. Dhe ky vendim i takon Qeverisë, koalicionit qeverisë dhe partive politike, por ritheksoj se Serbia po dëmtohet në rrafshin ekonomik, por e theksoj se nuk ka çmim që mund të paguaj ndonjë devijim a dobësim të raportit të Kosovës me SHBA-të. Mbi çdo çmim është ky relacion për të ruajtur. Ftoj spektrin politik të mendoj me urtësi e mençuri”, ka thënë Thaçi.

“Unë kam kërkuar atje që të vazhdohet me dialog, pa e hequr taksën. Por përgjigja ishte jo. Ata kanë kërkuar se paku pezullimin e përkohshëm të saj”, ka thënë ndër të tjerash Thaçi.
Thaçi ka theksuar se organizimi i një konference ndërkombëtare është kthim prapa në kohë dhe implikim i faktorit rus.
Ai poashtu ka shtuar se duhet të eliminojnë në çdo rrethanë që të diskutohet asociacioni me elemente ekzekutivë, pasi do të krijohej mundësia e krijimit të Republikës serbe në Kosovë.
Për kufijtë e Kosovës me Serbinë, Thaçi ka thënë se një korrigjim i lehtë është çmimi për marrëveshje përfundimtare.
“Ne kemi bërë zyrtarizmin e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, diçka e tillë ka ndodh edhe me Malin e Zi. E njëjta procedurë duhet të ndodh edhe me Serbinë. Prandaj, kufijtë e Kosovës me Serbinë janë edhe në veri edhe në jug që duhet të zyrtarizohet për të ndodh njohja”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, për ligjin për paga ai tha se ka marrë shumë ankesa, duke bërë të ditur se javën e ardhshme zyra ligjore do t’i shqyrtojë.
“Unë sapo jam informuar se kanë ardhur shumë ankesa sa i përket ligjit për paga. Javën e ardhshme zyra ligjore do ti shqyrtojë dhe në përputhshmëri me interesin e të gjithëve do të ndërmarrim veprimet e nevojshme. Gjithçka duhet të jetë në afatet ligjore”, ka shtuar Thaçi./Indeksonline/
