75 Mall Live Search
10:42 / E Enjte, 07 Maj 2020 / indeksADMonline

Thaçi: Padrejtësisht po mbahemi të izoluar, BE të marrë guximin të implementojë vizionin e të ardhmes konkrete për Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur lidhur me Samitin e Zagrebit i cili u zhvillua dje.

Thaçi tha se ka ripërsëritur kërkesën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës të cilët vizon të vetëm kanë qasjen euroatlantike.

“Dëshiroj që fillimisht të falënderoj shtetin kroat, kryeministrin për organizimin e këtij samiti dhe shprehë mirënjohje për krijimin e mundësisë që Kosova të përfaqësohet në nivel të barabartë sigurt të gjithë të tjerët, si shtet i pavarur dhe Sovran.Ajo çka sot dua të theksoj është se thuajse të gjithë liderët kanë folur për rëndësinë e vazhdimisht të luftës apo për të sfiduar pandeminë duke shprehur ngushëllimet më të thella për viktimat e COVID-19.Falë institucioneve tona të shëndetit publik, falë mjekëve tanë kemi një numër të vogël viktimash. Fokusi mbetet edhe sot edhe në ditët e javët e ardhshme, në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, por në të njëjtën kohë në hapa të mëtutjeshëm edhe prioriteti për ringjalljen e ekonomisë. Dua të falënderojë shtetet anëtare të BE-së që kanë dhënë ndihmë ndaj institucioneve të Kosovës. Përkundër pandemisë, Kosova mbetet e fokusuar në prioritetet e saj, në veçanti në funksionimin e institucioneve demokratike, efektiv dhe efikas dhe forcimin e sundimit të ligjit, sfidimin e COVID-19 dhe vazhdimin e funksionimit të shtetit”, tha Thaçi.

Ai shtoi se ishte i mirëseardhur edhe ku samit, ku prisnin rezultate konkrete sa i përket Kosovës dhe rajonit e Ballkanit Perëndimor.

“Kam theksuar si president i vendit se Kosova si shteti më pro evropian në rajon meriton trajtimin më të shpejtë, më të përgjegjshëm dhe më vendimmarrës nga BE, në veçanti sa i përket nevojës dhe meritës për qytetarët dhe institucionet, pra vendimin e menjëhershëm për liberalizimin e vizave, sepse kjo  vonesë vetëm sa po e zbehë autoritetin dhe besimin kosovar në autoritetet në Bruksel.

Bëra thirrje në prezantimin tim se shtetet anëtare të BE-së duhet të lëvizin përpara më shpejtë në këtë çështje dhe të lëvizin me urgjencë, Kosova padrejtësisht po mbahet e izoluar dhe padyshim se këtë e kuptojmë si një ndëshkim të padrejtë ndaj qytetarëve dhe institucioneve, ndëshkim i shkaktuar nga mos-uniteti evropian, pasi Kosova ka plotësuar kriteret e nevojshme. Ky mos unitet ndërlidhet me mosnjohjen e pesë vendeve të BE-së për Kosovën e pavarur dhe sovrane. Dje qartë kam bërë thirrje që edhe këto pesë vende, Spanja, Greqia, Sllovenia, Sllovakia dhe Qipro të njohin shtetin sovran të Kosovës. Çështja tjetër që gjithashtu e kam ngritur ka të bëjë me dëshirën e BE-së që të ketë rol në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj kjo është e mundshme derisa BE përfshihet në proces në nivelin më të lartë, me unitet brenda përbrenda si shtetet anëtare, por edhe me koordinim të ngushtë me rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova është që dialogu të vazhdojë të arrihet marrëveshja finale e paqes mes dy shteteve dhe të jetë finale me njohje reciproke si shtetet të pavarura dhe sovrane”, shtoi Thaçi, shkruan Indeksonline.

Tutje ai theksoi që BE-ja nuk do të duhej t’i shmangej politikës së zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Dhe zgjerimi duhet të vihet në krye të agjendës së BE-së dhe duhet punuar në rikthimin e besimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Poashtu për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme që kemi një angazhim edhe më konkret të BE-së, gjithmonë duke u trajtuar si vend i pavarur dhe sovran. BE nuk mund të sillet neutral në raport me Kosovën. Edhe para 20 vitesh në Samitin e Zagrebit rajonit iu afrua perspektiva evropiane, duhet theksuar edhe Kosovës. Prandaj theksova edhe dje është e dhimbshme që të dëgjojmë përkushtim të njërit por pa vendim ende për liberalizimin e vizave, madje pa statusin e kandidatit për BE edhe pse kemi përmbushur të gjitha kriteret. BE dhe shtetet e tyre anëtare duhet të marrin fuqinë dhe guximin që të implementojnë vizionin për të ardhmen konkrete për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Duhet ë ndryshojë ky trend negative, prandaj iu bëra thirrje edhe dje të tregojnë lidership dhe vullnet për të ofruar Kosovën më shpejtë, më mirë në BE. Populli i Kosovës nuk ka tjetër përkushtim, vizion përpos të ardhmes euroatlantike, pjesë e NATO-s, e BE-së dhe në raport të përhershëm me Amerikën”, përfundoi Thaçi./Indeksonline/