Thaçi para lapidarit të “Heroinave”:Nuk ka paqe pa drejtësi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë homazhe para lapidarit “Heroniat”, në qendër të Prishtinës. Ai ka thënë se për gjenocidin që ka kryer shteti serb në Kosovë, po heshtet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, por se sipas Thaçit , askush nuk mundet të mohoj krimet e kryera në Kosovë, raporton IndeksOnline.
Paqja nuk mund të arrihet pa drejtësi ka thënë ndër të tjera i pari i vendit.
Ai ka thënë se në ditët kur po kujtohet gjenocidi dhe krimet e kryera para 20 vitesh në Kosovë, kontributi dhe roli i gruas shqiptare në luftën për liri ishte jetik.
“Në tërë këtë përpjekje kontributi i gruas shqiptare, qoftë në istikamet e luftës qoftë në format e tjerat të rezistencës ka qenë jetik dhe vendimtar dhe kjo është produkt i kurajës së tyre i edukimit nga familjet e tyre dhe ky monument dhe ky nderim është për heroinat tona, që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.
Ai theksoi se përkundër gjenocidit dhe krimeve të kryera në Kosovë nga shteti i Serbisë, bota tani po heshtë.
“Kjo heshtje ndërkombëtare e ka amnistu gjenocidin etnik, por nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistoj krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, nuk ka paqe pa drejtësi dhe në këtë drejtim do të punojmë te gjithë”, theksoi Thaçi.