11:27 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

Thaçi para ushtarëve të Kosovës: Po punojmë seriozisht që të jemi sa më parë pjesë e NATO-s

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  iu është drejtuar sot ushtarëve në kazermën ‘Adem Jashari’ , ku për nder të 20 vjetori të çlirimit parakaluan njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Thaçi tha se ndjen kënaqësi të veçantë që sot është pranë ushtarëve, në këtë ditë të veçantë, si një moment special dhe historik për shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e saj.

“Këto ditë po shënojmë 20 vjetorin e lirisë së vendit dhe popullit tonë, sot kujtojmë gjithë dëshmorët e lirisë, luftëtarët trima të UÇK-së, kujtojmë me nderime dhe respekt komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrificën e çdo qytetari të Kosovës që në një formë apo tjetër kudo që jetonin ishin shndërruar në çlirimtar të Ksoovës.20 vitet e përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit etnik të shtetit të Serbisë, 20 vite të lirisë dhe paqes shënojmë kthimin e 1 milion qytetarëve në shtëpitë e tyre në Kosovë, vazhdimin e rindërtimit të jetëve dhe të shtëpive tona. Mbylljen e kapitujve të tragjedive dhe vuajtjeve dhe hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë. Nga aspirata dhe angazhimi i popullit për liri, keni lindur edhe ju. E kishim UCK-në, e transformuam në trupat mbrojtëse e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës para pak muaj morëm edhe vendimin historik për themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti tutje nderoi punën profesionale të ushtarëve të Kosovës, duke thënë se këto ditë kujtohet e kaluara dhe e ardhmja dhe e gjitha çfarë është arritur gjatë këtyre 20 viteve.

“Gëzuar juve, nderime dhe respekt e nderime për punën tuaj profesionale. Përveç sot FSK është e mëshiruar në këtë dëshirë për liri, për gatishmërinë për të mbrojtur paqen. Për çdo qytetarë të Kosovës në çdo kënd të Republikës së Kosovës. FSK është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë m multietnike dhe që në mënyrën më të mirë pasqyron atë që kemi arritur e kemi bërë.Këto ditë kujtojmë të kaluarën, por shikojmë edhe ka e ardhmja, kemi arritur shumë në këto 20 vite, kemi pasur sfida, kemi ndërtuar institucionet e shtetit dhe kemi vënë bazat e zhvillimit ekonomik dhe të ligjit. Kemi konfirmuar aspiratën tonë të re, e kemi realizuar aspiratën për liri dhe për shtet ë pavarur e sovran.Tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe BE. Rruga jonë nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë por është e sigurt. Duhet të përfundojmë reformat në ekonomi, drejtësi dhe politik”, shtoi Thaçi, transmeton Indeksonline.

Presidenti i vendit tha se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, Malin e Zi, Maqedoninë veriore, Shqipërinë.

“Po punojmë seriozisht që të jemi sa më parë pjesë e NATO-s dhe për marrëveshje finale gjithëpërfshirës ligjërisht obliguese edhe me Serbinë. Dëshirojmë të mbyllim kapitujt e konfliktit të shekujve të kaluar, por të hapim kapituj të ri të jetës në barazi e zhvillim. Kjo është aspirata jonë e përbashkët, ky është zotimi ynë për qytetarët e Kosovës, e gëzofshim lirinë”, përfundoi ai./Indeksonline/