Thaçi, pro ndërtimi të Xhamisë së Madhe: Askush të mos ndihet i fyer

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka komentuar për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Thaçi tha se “Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë”.
Ai shtoi se askush nuk duhet të ndiehet i fyer e i anashkaluar mbi baza fetare.
“Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales së Prishtinës. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë së Madhe, në Prishtinë.
Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë.
Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern.
Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë sonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj! HTH”, tha ai./IndeksOnline/