Thaçi: Qeveria në detyrë ka për tendencë përmbysjen e rendit tonë kushtetues

Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.
Në një postim në FCB presidenti Thaçi ka thënë se pavarësisht se është kohë pandemie rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm, dhe se në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës
Ky është postimi i Thaçit:
Edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm. Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.
Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë.
Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme!
Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj.
Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues!