21:46 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Rrëfimi i Vasfijes dëshmon dhunën, krimin dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se rrëfimi i Vasfije Krasniqit në Kongresin Amerikan dëshmoi edhe njëherë përmasën e dhunës, krimit dhe gjenocidit që Serbia ushtroi me popullatën shqiptarë.

Thaçi ka theksuar se iniciativa e Vasfijes për të dhënë publikisht përjetimin tragjik është shprehje e guximit të saj të lartë qytetar, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë i Thaçit në facebook:

Rrëfimi i znj. Vasfije Krasniqi para anëtarëve të Kongresit amerikan edhe njëherë dëshmoi përmasën e dhunës, krimit dhe gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në vitet 1998, 1999. Ky rrëfim ngjalli emocione të forta para anëtarëve të pranishëm në Kongresin amerikan. Edhe pas 20 vitesh askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre vrasjeve, dhunimeve, masakrave dhe veprimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë, nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. Iniciativa e znj. Vasfije Krasniqi për ta thënë publikisht përjetimin tragjik është shprehje e guximit të saj të lartë qytetar. Asnjë segment i krimit serb nuk bën të heshtet, sado i dhembshëm që të jetë!./Indeksonline/