75 Mall Live Search
11:59 / E Premte, 30 Gusht 2019 / indeksADMonline

Thaçi: S’ka paqe pa e zbardhur të vërtetën e fatit të të pagjeturve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, ka thënë se nuk mund të ketë paqe pa e zbardhur të vërtetën e fatit të të pagjeturve dhe pa dhënë përgjegjësi kryesit e krimeve.

Thaçi ka kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve tanë.

“Në këtë ditë kujtojmë vajzat e djemtë, nënat e baballarët, motrat e vëllezërit dhe çdo të dashur tonë, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur që nga lufta në Kosovë. Zbardhja e fatit të të pagjeturve është jetike për familjet tona dhe për Republikën e Kosovës, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Nuk mund të ketë paqe pa e zbardhur të vërtetën e fatit të tyre dhe pa dhënë përgjegjësi kryesit e krimeve. Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi në Kosovë! As ne dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojmë që gjenocidi serb në Kosovë të harrohet dhe të kalojë i pandëshkuar”, ka shkruar Thaçi.