Thaçi: Takimi në Washington për njohje reciproke me Serbinë, jam i bindur se do t’ia dalim!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi konsideron se ftesa e SHBA-së për tu takuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë rritë shpresën se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë sukses.
“Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa për 27 qershor për takim në Shtëpine e Bardhë e rritë shpresën se ky proces do të ketë sukses. E para që ky proces ka mbështetjen e qartë të SHBA-së, të vet presidentit Trump dhe këmbëngulësinë e ambasadorit Grenell”, ka thënë Thaçi, transmeton Indeksonline.
“Kosova gjithmonë ka besuar në SHBA-në dhe ka dalë fituese. Washingtoni e ka të qartë se ky proces është për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë por të njëjtën kohë për të vazhduar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, andaj ky proces është për Kosovës dhe qytetarët e saj”, tha tutje ai.
“Jam i bindur se do t’ia dalim me sukses dhe do të kemi rezultate konkrete, kështu ka qenë edhe në Rambuje edhe në Vjenë, dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe në Washington. Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka nevojë të ketë hezitim. Ne duhet të lëvizim sa më shpejt që të jemi pjesë e OKB-së, NATO-s dhe BE-së e këtë synim dhe këtë vullnet e kanë qytetarët e republikës së Kosovës, e këtë mund ta realizojmë vetëm me besim dhe partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evroopian”, vlerësoi ai. /Indeksonline/