21:03 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi takohet me Mogherinin, tregon çfarë biseduan!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Temë e diskutimit ishte dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa presidenti Thaçi ka rikonfirmuar gatishmërinë e Kosovës për këtë proces, për çka thotë se ka marrë mbështetje edhe nga liderë të tjerë botërorë gjatë takimeve të zhvilluara këto ditë, shkruan Indeksonline.

I pari i shtetit po qëndron në Amerikë për takime zyrtare me homologë dhe përfaqësues institucional ndërkombëtarë.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Pata një takim të shkëlqyer me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, me të cilën diskutuam për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I rikonfirmova edhe një herë gatishmërinë tonë për dialogun, proces ky për të cilin mora mbështetje edhe nga shumë liderë botërorë në takimet që kam zhvilluar këto ditë.

Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, është krijuar një momentum historik për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet dhe do të krijonte perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE.”/Indeksonline/