09:49 / E Enjte, 27 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Thaçi takon Eliot Engelin: Me SHBA-në si partner strategjik, s’ka pengesë që e ndalë rrugëtimin e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është duke qëndruar në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Pas takimeve zyrtare shumë të rëndësishme, Thaçi ka takuar sot edhe kongresistin, Eliot Engel, një nga politikanët amerikanë që me dekada radhazi përkrahu çlirimin, pavarësinë dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës.

Thaçi tha se çdoherë që takohet me Engelin, bashkë kujtojnë të kaluarën dhe flasin për të ardhmen, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Kongresisti Eliot Engel është një prej politikanëve amerikanë, që me dekada të tëra e ka përkrahur çlirimin, pavarësinë dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Edhe tani si Kryesues i Komitetit për Politikë të Jashtme pandalshëm po jep kontribut tejet të çmuar për ndërkombëtarizimin dhe fuqizimin e Republikës së Kosovës gjithandej botës. Sa herë që takohem me kongresistin Engel, së bashku e kujtojmë të kaluarën dhe flasim për të ardhmen. Dhe, me SHBA-në si partner strategjik, nuk ka pengesë që mund ta ndalë rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt integrimit evroatlantik. HTH