Thaçi: Të dëgjohen rekomandimet e IKSHPK-së, ato janë përtej çdo agjende politike

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media ku ka bërë thirrje për solidaritet të ndërsjellë, për distancë fizike në mes njerëzve në çdo hapësirë, për qetësi, përmbajtje dhe urti.
Thaçi tha se është i bindur që bashkërisht edhe kjo vështirësi do të kalohet.
“Shprehë falënderim për mjekët heronj, infermierët, policët, ushtruesit e të gjitha njësive emergjente, punëtorët e KEK,KEDS, bizneset, furrtarët, doganierët të gjithë që po bëjnë punë të jashtëzakonshme për të kaluar këtë gjendje. Në ftohtë , acar, shi, e borë duhet të jemi dhe t’i falënderojmë gjithmonë. Ju falënderoj edhe juve gazetar që po rrezikoni jetët tuaj, për informimin korrekt. U ftoj t’i mbysni lajmet e rreme, që mund të krijojnë frikë dhe panik. Për mua dhe institucionet e rëndësishme është që të dëgjohen me kujdes rekomandimet e IKSHPK-së, pasi janë përtej çdo agjende politike, rekomandime për shëndetin tuaj, të shoqërisë dhe të mirën e të gjithëve, janë rekomandimet për jetën tonë”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.
Ai tutje theksoi se mënyra më e mirë për të luftuar virusin COVID-19 është të qëndrohet në shtëpi, që të mos lëvizet pa nevojë.
“Mos të bëhen lëvizje që nuk janë të nevojshme as për ju, as për familjet e juaja, as për shoqërinë dhe as për shtetin. Preventiva më e mirë është rrini në shtëpi me të dashurit tuaj, pra rrini në shtëpi. Sakrifica juaj duke qëndruar në shtëpi është që ruani shëndetin tuaj, të familjes dhe tërë shoqërisë.Rrini në shtëpi, në qetësi, mos dilni pa nevojë, nuk është e ritheksoj koha për agjenda politike, por mbi të gjitha për shëndetin qytetar, për ruajtje të Kushtetutës, të rendit dhe qetësisë. Vendimi i mbrëmshëm i qeverisë ka provokuar rrethanë të re, të paqartësisë dhe frikës”, tha ai.
Thaçi tha se sot njerëzit janë detyruar nga konfuzioni i mbrëmshëm që të furnizohen me mallra ushqimore vetëm në mëngjes, duke shkaktuar tollovi në kundërshtim me rekomandimet IKSHPK-së.
“Ato tollovi janë masive në vendet e shit-blerjes dhe ato të mallrave të nevojshme për jetën e njerëzve. Prandaj ato tollovi janë të përcjella me fotografi, e janë rreziku i ri për shpërthimin e virusit. Ka krijuar panik tek qytetarët për dalje urgjencë dhe ka krijuar rrezik permanent për shpërndarjen e koronavirusit”, shtoi Thaçi./Indeksonline/