16:48 / E Shtunë, 08 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Të mos mbesim rob i dhuratave të Rankoviçit, të korrigjojmë historinë

Presidenti Hashim Thaçi insiston që Lugina e Preshevës, Bujanovci e Medvegja të bashkëngjitën me Kosovën.

Ai ka ripërsëritur edhe njëherë se kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Indeksonline.

“Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane”, ka shkruar Thaçi në një postim në facebook.

Ai ka theksuar se rezultatet e marrëveshjes eventuale paqësore me Serbinë do të jetë njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtar.

“Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB. Kjo marrëveshje sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hapë rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka shtuar Thaçi./Indeksonline/