75 Mall Live Search
21:13 / E Shtunë, 15 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Thaçi: Të ruhet partneriteti me SHBA-në ose rrezikojmë liberalizimin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur rreth diskutimeve në konferencën e Sigurisë në Mynih ku mori pjesë. Thotë se e vetmja mënyrë që vendi të ketë një të ardhme të ndritur euro-atlantike është koordinimi i plotë me partnerët, SHBA dhe BE.

“Të gjitha mesazhet që i dëgjuam prej të gjithë liderëve botërorë që ishin prezent në Munih në raport me Kosovën është që të ruhet ky partneritet i Kosovës me BE’në, me NATO-në e në veçanti me SHBA-në. Ky partneritet ruhet dhe kultivohet vetëm duke u sjell në mënyrë të përgjegjshme si institucione të vendit, të ndërtojmë demokracinë qytetare, të thellojmë reformat dhe të sillemi në mënyrë korrekte dhe të përgjegjshme edhe me të gjithë fqinjët, prandaj jam jashtëzakonisht i inkurajuar nga ajo që dëgjuam për Kosovën këtu në takimet që kam zhvilluar”, tha Thaçi për RTK-në.

“Rrugëtimi i Kosovës duhet të jetë koordinimi me partnerët tanë me SHBA dhe BE që të ndodh liberalizmi i vizave dhe në asnjë rrethanë të mos humbet mundësia për anëtarësim në Interpol apo në UNESCO. Pa koordinim me Washingtonin dhe Brukselin Kosova rrezikon seriozisht procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në UNESCO dhe në Interpol”.