11:58 / E Martë, 19 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Ushtria e Kosovës ka lindur nga bashkëpunimi me KFOR-in

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo ceremoni që mund të duket e njëjtë ka sjellë disa risi, midis të cilave ka përmendur thellimin e bashkëpunimit midis KFOR-it dhe institucioneve të vendit.

“Është nder pjesëmarrja në këtë ceremoni të ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë. Ndonëse është ceremoni që në shikim të parë duket e njëjtë, në fakt çdo ditë sjell diçka të re”.

“Risia e parë që sjell është një hap tjetër në thellimin e bashkëpunimit mes KFOR-it,  NATO-s dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Risia e dytë është zgjerimi i bashkëpunimit mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës që dëshmohet me raportet për të arriturat e vazhdueshme, veçanërisht në bashkëpunimin me Ushtrinë e Kosovës”.

“Risia e tretë është hapi i madh drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë”.

Thaçi e ka falënderuar komandantin e KFOR-it në largim gjeneralmajor Lorenzo D’Addario për punën që e ka bërë në Kosovë, derisa i ka uruar mirëseardhje komandantit të ri të KFOR-it Michele Risi.

“Gjeneral D’Addario, angazhimi juaj ka sjellë më shumë paqe, siguri dhe kjo ka ndikuar në jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës”.

“Ndërsa juve, gjeneralmajor Risi ju dëshiroj mirëseardhje dhe ju uroj që të vazhdoni me sukseset që keni shënuar gjithmonë si KFOR në Kosovë”.

I pari i vendit ka thënë se qytetarët vazhdojnë të kenë një besim shumë të madh në KFOR-in.

“Edhe pas 20 vjetësh prezencë në Kosovë, KFOR-i vazhdon të jetë një prej organizatave që gëzon besimin më të madh të qytetarëve tanë. Ky besim i madh nuk është aspak i rastësishëm, por është krijuar falë punës profesionale, të paanshme dhe të suksesshme që ushtarët e KFOR-it e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve”.

“Suksese jo vetëm në mbrojtjen e kufijve të jashtëm dhe hapësirës ajrore të Kosovës, por veçanërisht sukseset në përkrahjen e Kosovës nga brenda”.

“Sukseset tona të përbashkëta e bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshëm KFOR-in në Kosovë. Reduktimi i vazhdueshëm i trupave të KFOR-it në Kosovë është treguesi më i mirë për sukseset që kanë arritur ushtarët dhe udhëheqësit e KFOR-it në Kosovë”.

“Këto suksese janë arritur falë bashkëpunimit të ngushtë me mekanizmat vendorë të sigurisë në Kosovë”.