Thaçit i mbeten vetëm edhe pak orë për dekretimin e Ligjit të Pagave
Kanë mbetur edhe pak orë deri në momentin kur ligjërisht përfundon afati për nënshkrimin e Ligjit të Pagave nga ana e presidentit kosovar, Hashim Thaçi.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës ligji hyn në fuqi pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare, edhe pa nënshkrimin e presidentit.
Neni 80 i Kushtetutës së Kosovës thotë se nëse Presidenti i Kosovës e kthen ligjin në Kuvend, ai duhet theksuar arsyet e kthimit të ligjit.
“Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovë, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8 ) ditësh pasi të ketë marrë ligjin”, thuhet në këtë nenë.
Poashtu theksohet se Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë dhe në rast se Presidenti brenda tetë ditë pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Ndryshe votimi i Ligjit për Pagat u bë me datën 2 shkurt, por pas këtij votimi kishte ankesa të shumta duke kërkuar ndryshim të koeficienteve dhe duke shprehur pakënaqësi nga përfaqësues të shumë institucioneve në vend.
Madje të shumta qenë edhe protestat që u mbajtën pikërisht për kundërshtimin e këtij Ligji të Pagave që ligjërisht hy në fuqi pas 9 muajsh nga publikimi në Gazetën Zyrtare.
Thaçi kishte pranuar Ligjin për Pagat me datën 12 shkurt dhe kësisoj ende nuk e ka votuar atë./Indeksonline/