08:44 / E Hënë, 11 Tetor 2021 / C E

The Economist: Epoka e bollëkut ka mbaruar!

Nuk mund të jetojmë me to, nuk mund të jetojmë pa to, por duket se epoka e bollëkut të karburanteve fosile ka mbaruar, thotë The Economist.

Për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, fjala më e përdorur në sektorin e energjisë ishte pikërisht kjo, “bollëku”. Një industri që synoi prej kohësh ta raciononte prodhimin e lëndëve djegëse fosile me qëllimin t’i mbante çmimet e larta, u përball befas me teprica furnizimi pas një bum-i të naftës argjilore në SHBA, që solli uljen e kuotimit të arit të zi nëpër botë.

Nga ana tjetër, burimet e energjisë së pastër, si era dhe dielli, nisën të konkurronin fort me lëndët djegëse të përdorura tradicionalisht për prodhimin e energjisë, si qymyri dhe gazi natyror.  Javët e fundit, po ndodh e kundërta. Shoferët britanikë po vuajnë aktualisht për shkak të mungesës së drejtuesve të kamionëve që furnizojnë pikat e karburanteve. në disa pjesë të Kinës ka ndërprerje të energjisë, pjesërisht edhe për shkak të përpjekjeve të vendit komunist për të frenuar emetimet e gazeve shkaktare të efektit serë.

Kjo krizë me pasoja inflacioniste, nuk do të jetë aspak pozitive për një botë që pjesën më të madhe të energjisë së saj, e siguron ende nga lëndët djegëse fosile, shkruan The Economist. Por të paktën ajo mund të përshpejtojë kalimin në burime më ekologjike dhe më të lira të energjisë, vazhdon e përjavshmja prestigjoze britanike.

Sa më gjatë që çmimet të qëndrojnë në nivele të larta, aq më shumë ka gjasa që kalimi tek energjia e pastër ta varrosë industrinë e karburanteve fosile, thuhet në artikull, ndërsa konsumatorët sipas tij, duhet të përgatiten për më shumë mungesa në treg.