75 Mall Live Search
14:08 / E Premte, 25 Janar 2019 / indeksADMonline

The Heritage Foundation: Kosova ka shënuar rritje ekonomike

The Heritage Foundation (Fondacioni për Trashëgimi) me seli në Amerikë e që vepron në shumë shtete të botës, ka nxjerrë të dhëna për gjendjen ekonomike dhe të jetesës në Kosovë.

Sipas raportit të fundit që pritet të publikohet së shpejti e që të cilin e ka siguruar Indeksonline, del se Kosova ka shënuar rritje ekonomike.

Në raport përmendet edhe paqëndrueshmëria politike në Kosovë, korrupsioni, furnizimi i pasigurt me energji, një ekonomi e madhe joformale dhe një sundim i dobët ligjor, duke përfshirë edhe mungesën e zbatimit të kontratës.

“Rezultati i lirisë ekonomike në Kosovë është 67.0, duke e renditur ekonominë e saj në vendin e 51-të më të lirë në Indeksin 2019. Rezultati i përgjithshëm i saj është rritur me 0.4 pikë, me përmirësime për të drejtat pronësore, lirinë e punës dhe shëndetin fiskal që tejkalon rënien në efektivitetin gjyqësor dhe lirinë monetare”, thuhet në këtë raport.

Kosova, gjithnjë sipas raportit të The Heritage Foundation renditet e 26-ta mes 44 vendeve në rajonin e Evropës dhe rezultati i përgjithshëm është nën mesataren rajonale, por mbi mesataren botërore.

“Kosova është vendi më i ri i Evropës dhe një nga më të varfërit në Evropë. Megjithëse rritja ka qenë pozitive, ajo nuk ka ulur ndjeshëm papunësinë e lartë; ofruar punë formale, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë; apo ndaluar shkallën e lartë të emigrimit. Ekonomia karakterizohet nga një integrim jashtëzakonisht i kufizuar rajonal ose global, paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, furnizimi i pasigurt me energji, një ekonomi e madhe joformale dhe një sundim i dobët ligjor, duke përfshirë edhe mungesën e zbatimit të kontratës. Zgjidhja e kërkesave për pronën banesore, bujqësore dhe komerciale mbetet një çështje serioze dhe e diskutueshme”, thuhet ndër të tjera në raportin e fundit të kësaj organizate amerikane./Indeksonline/