75 Mall Live Search
22:52 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / Z S

Thellohet bilanci i tragjedisë në Lisbonë, 15 të vdekur dhe 18 të plagosur nga përmbysja e tramvajit

Është thelluar bilanci i tragjedisë së ndodhur pasditen e sotme në Lisbon të Portugalisë, si pasojë e përmbysjes së tramvajit ikonik Gloria.

Mediat portugeze raportojnë se numri i viktimave është rritur në 15, ndërsa 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pesë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Dalja nga shinat e tramvajit të Lisbonës ka shkaktuar një nga aksidentet më tragjike të regjistruara në kryeqytetin portugez vitet e fundit sipas të dhënave të ofruara nga policia.

Tramvaji ikonik Gloria, një nga mjetet e transportit më të përdorura nga turistët, u përplas me një ndërtesë pranë Liberty Avenue. Ky tramvaj lidh sheshin Restauradores, në pjesën e poshtme të kryeqytetit portugez, me lagjen Bairro Alto, është një mjet i njohur transporti për turistët, të cilët shpesh formojnë radhë të gjata për të hyrë në të dhe ka një kapacitet prej 43 pasagjerësh.

Aksidenti ndodhi në orën 6:05 të mbrëmjes sipas orës lokale, pranë Sheshit Restauradores. Imazhet tregojnë tramvajin e përmbysur pasi u përplas me një ndërtesë në Gloria Causeway./Indeksonline/