16:20 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018 / indeksADMonline

Themelohet Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është mbajtur sot takimi për themelimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, i cili synon arritjen e 17 objektivave zhvillimore, të njohura si Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm apo Agjenda 2030.

Kryetarja e këtij këshilli, Besa Baftiu, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, tha se qëllimi kryesor i Këshillit është të bashkojë parlamentarët dhe përfaqësuesit e tjerë institucionalë, organizatat ndërkombëtare dhe institutet – organizatat e shoqërisë civile, për t’u koordinuar në një aksion të përbashkët për arritjen e 17 objektivave zhvillimore, të njohura si Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZhQ-të) apo Agjenda 2030.Ndërsa, Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e KB-ve dhe Përfaqësuese Rezidente e UNDP-së në Kosovë, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim rreth këtyre objektivave.

Në takim po ashtu u tha se mbështetja absolute për Aktin Themelues të Këshillit, i cili do të funksionojë si një mekanizëm ndër-institucional në kuadër të Kuvendit, dhe do të jetë në shërbim të koordinimit sa më të mirë të proceseve drejt arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë. Me këtë rast në oborrin e Kuvendit u bë inaugurimi i instalacionit të OZhQ-ve. Ndryshe, ky instalacion parashihet të qëndrojë në oborr të Kuvendit deri në vitin 2030, kur parashihet edhe të përfundojë misioni i këtij Këshilli.