Theu një veturë në dhjetor, policia kap një të dyshuar, në Malishevë

Më 25 dhjetor, një ankues raportoi se persona të panjohur i kishin thyer automjetin e tij në parkingun e një marketi në Malishevë, nga ku i kishin vjedhur para dhe gjësende të ndryshme.
Sektori i Hetimeve në kuadër të stacionit policor në Malishevë, pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, dje kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin J.K., i lindur më 1984, shtetas i Republikës së Kosovës, mbi dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale të raportuar.
I njëjti gjithashtu ka qenë në kërkim policor si i dyshuar edhe për tetëmbëdhjetë raste të tjera të vjedhjeve të kryera në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor të Malishevës, dhe për t’i ikur kapjes nga policia ka përdorur identitete dhe dokumente të rreme të cilat i janë gjetur dhe sekuestruar në momentin e arrestimit.
Veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje.