20:57 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / Blerim

Thirrja e LDK-së për president, flasin nga partitë politike nëse do të marrin pjesë

Më 5 të këtij muaji, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, kështu kjo detyrë kaloi tek kryetarja e Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Por, që e njëjta postin e ushtrueses së detyrës së Presidentit, s’mund ta ushtrojë në periudhë më të gjate se gjashtë muaj.

Pikërisht për këtë, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila edhe udhëheq me shtetin, ka paralajmëruar një takim me subjektet politike paralmenetare. I njëjti ka thënë se kjo pritet të ndodhë në fund të këtij muaji, eventualisht në fillim të muajit dhjetor.

IndeksOnline ka pyetur partitë politike, nëse të njëjtat do t’i përgjigjen kësaj ftese, ku do të diskutohet për emrin e presidentit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Zëdhënësi i partisë opozitare, PDK, ka thënë se ende s’ka ndonjë ftesë zyrtare.

Ne po e presim ftesën zyrtare. Përgjigja jona do të varet nga formati i përfaqësimit politik dhe përmbajtja e kësaj ftese”, ka thënë Avni Bytyçi.

Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, tha për IndeksOnline se qëndrimi i tyre mbetet parimor, dhe se s’ka zgjidhje pa zgjedhje.

Nga ajo që u raportua në media, qëllimi i këtij takimi ose tryeze është krijimi i një uniteti rreth gjetjes së një zgjidhjeje mbi çështjen e presidentit të ri. Qëndrimi ynë është parimor. Nuk ka unitet pa legjitimitet. Nuk ka zgjidhje të mirëfilltë pa zgjedhje. Si në rastin e qeverisë ashtu edhe në rastin e pozitës së Presidentit. Çdo zgjidhje që për qëllim ka shmangjen e zgjedhjeve nuk ka për synim përmirësimin e tejkalimin e gjendjes por mirëmbajtjen e saj.

 Zgjedhja e presidentit të ri përmes kuvendit të vjetër e para zgjedhjeve të reja, nënkupton vazhdimin e qeverisë Hoti. E ne e konsiderojmë këtë qeveri të paligjshme e pa legjitimitet dhe që duhet të shkojë sa më parë. Pra nuk është zgjidhje e problemit, por harrnim i problemit. Për këtë nuk ka nevojë për diskutimit, ka nevojë vetëm për konfirmim ose aprovim. E aprovimin për zgjedhjet e reja nga ana e LV-së tashmë e kanë”.

Ndërsa, Bilall Sherifi, sekretar i Nisma-s thotë se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së LDK-së.

Edhe nga Nisma Socialdemokrate do të marrin pjesë në çdo tryezë ku i kontribuon arritjes se një zgjidhje për çështjën e presidentit.

Jo vetëm që do të marrim pjesë, por kreu i këtij subjekti, Fatmir Limaj po angazhohet shumë për të arritur një marrëveshje si spektër politik për çështjen e presidentit”, shprehet ai.

Por, AAK ende s’ka një përgjigje, pasi që pikërisht nga kjo parti, është konfirmuar kandidatura e liderit, Ramush Haradinaj për deputet.

Nuk kam ndonjë informacion që ka ftesë, por ne jemi në koalicion dhe nuk besoj që duhet ftesë”, ka thënë shkurt, Daut Haradinaj.

Deri tash janë përmendur edhe disa emra të tjerë për postin e presidentit, Murat Jashari që rrjedh nga familja heroike Jashari nga Prekazi i Skënderajt, por asgjë zyrtare.

Ndërsa, Partia e Drejtësisë dega në Gjilan, kërkon nga koalicioni qeverisës NISMA-AKR-PD që kandidati për President të vendit të jetë, Ferid Agani.

Nehat Idrizi gjithashtu ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për President të Kosovës. Idrizi ka qenë gjykatës, profesor dhe Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës./Indeksonline