11:05 / E Hënë, 11 Shtator 2023 / k.v

Thirrje për aplikim për pjesëmarrje në: “Shkolla Verore për ekonominë me karbon të ulët”

Vendi: Hotel “Magra Austria” Boge, Pejë

Koha e mbajtjes: 01-06 Tetor, 2023

Asociacioni Kosovar për Energji të Ripërtëritshme dhe Efiçiencë të Energjisë (AKEREE), në partneritet dhe me financim nga në partneritet dhe me financim nga “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”, zyra në Prishtinë, organizon “Shkollën Verore për ekonominë me karbon të ulët”. Andaj, ftohen kandidatët e interesuar nga e tërë Kosova, që të marrin pjesë në këtë shkollë. Programi do të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe do të zbatohet nga AKEREE duke angazhuar ekspertë me përvojë në fushën e energjisë, përkatësisht në ndryshimet klimatike, në fushat e efiçiencës së energjisë (EE), burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE), mjedisit jetësor dhe biodiversitit.

Programi i shkollës verore ofron një mundësi të mirë për të marrë njohuri në fushën e ndryshimeve klimatike që përfshinë efiçiencën e energjisë (EE) dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE), mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin, planifikimin e qëndrueshëm zhvillimor, etj. Programi është i përpiluar për studentët që planifikojnë të merren me fushën e energjisë, mbrojtjen e mjedisit si dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë – Lider të së ardhmes. Ky program do të jetë një mundësi e mirë për studentët që të zhvillojnë njohuritë e tyre dhe të rritin bashkëpunimin duke krijuar ura komunikimi në mes profesioneve të ndryshme, gjithnjë duke e konsideruar zhvillimin me emetime të ulëta të CO₂ secili nga aspekti i profesionit të tij.

Ideja kryesore e projektit të shkollës verore është për të krijuar një hapësirë të lirë edukimi, në të cilën studentët do të marrin njohuri dhe në mënyrë aktive mund të shkëmbejnë informatat dhe përvojat që lidhen me ndryshimet klimatike, EE, BRE, etj. Çështja e ndryshimeve klimatike gjithnjë e më shumë po bëhet çështje ndërkombëtare dhe e bashkëpunimit interdisiplinar. Prandaj, shumë përfitime mund të dalin nga bashkëpunimi në mes profesioneve të ndryshme.

Kandidatët e interesuar për pjesëmarrje në shkollën verore duhet:

➤ Të jenë studentë në vitin e fundit të studimeve në nivelin bachelor ose të jenë duke vijuar studimet master në shkencat teknike, arkitekturë, ekonomi, menaxhment, shkenca të natyrës, ekologji, agrokulturë, shkenca politike, juridik dhe të ngjashme.

Të kenë njohuri në programet kompjuterike Microsoft Office si Word, Excel dhe Power Point. Gjithashtu duhet të ketë edhe njohuri për punën me internet.

“Shkollën Verore për ekonominë me karbon të ulët” do të zgjasë pesë ditë. Do të ketë ligjërata dhe diskutime të cilat e përbëjnë pjesën teorike dhe do të mbahen përgjatë sesioneve të paradites. Po ashtu, do të jetë edhe pjesa e punës në grupe e cila do të organizohet përgjatë sesioneve të pasdites.

Grupet punuese do të trajtojnë një temë e cila do të i ‘u përcaktohet studentëve pjesëmarrës paraprakisht në ditën e parë të shkollës. Tema përkatëse do të trajtohet nga grupet punuese përgjatë pesë ditëve të shkollës verore. Një ditë në kuadër të kësaj ngjarje do të organizohet vizitë studimore në një projekt me emision të ulët. Në përfundim të shkollës do të shpërndahen certifikata për pjesëmarrjen.

Për të aplikuar, kandidatët ose kandidatet e interesuar/a për pjesëmarrje në shkollën verore duhet të

dërgojnë:

‣ CV-në e tyre,

➤ Kopjen e letërnjoftimit, ➤ ID kartelën e studentit, dhe

‣ një letër motivuese e cila do të tregojë njohuritë në fushën e energjisë e mjedisit jetësor si dhe motivin e tyre për pjesëmarrje në shkollë.

Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar.

Në rast të aplikimit të kandidatëve/kandidateve me kualitete të barabarta, përparësi do të kenë ata/ato që kanë aplikuar më herët në kohë.

Po ashtu, pjesëmarrësit nga vitet e kaluara të Shkollës Verore të organizuar nga AKEREE, nuk mund të marrin pjesë këtë vit.

Kjo është një mundësi e barabartë për të gjithë, mirëpo inkurajohet pjesëmarrja e studentëve të gjinisë femërore.

Aktivitetet e shkollës mbahen në gjuhën shqipe, por njohja e Gjuhës Angleze është e preferueshme. Koha e aplikimit është prej datës 07 deri me 17 shtator 2023, në fund të ditës kalendarike.

Dokumentacioni për aplikim të dërgohet në adresën elektronike: akeree@gmail.com

Për kandidatët/et e pranuar, shpenzimet për qëndrimin në hotel, ushqimi dhe vijimi i shkollës janë të mbuluara nga “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”, zyra në Prishtinë, ndërsa është i siguruar edhe transporti pa pagesë për pjesëmarrësit, në relacionin: Prishtinë -Pejë – Hotel “Magra Austria”- Bogë, dhe kthimi i pjesëmarrësve pas mbarimit të shkollës verore. Varësisht prej cilit rajon do të jenë studentët e pranuar, ata me shpenzimet e veta duhet të udhëtojnë deri në Prishtinë, apo Pejë. Për këtë qëllim është i siguruar një autobus që do t’i merr studentët së pari në Prishtinë, pastaj në Pejë dhe për të arritur në hotelin “Magra Austria”- Bogë, ku do të bëhet organizimi i shkollës verore.

Për çfarëdo informacioni shtesë mund të kontaktoni në numrin e tel. + 383 44 413 241, çdo ditë pune prej orës 17:00 deri në ora 21:00, apo në adresën elektronike: akeree@gmail.com