Thomas Tuchel flet për mosftesën e Bellinghamit: Nuk është diçka personale

Thomas Tuchel këmbëngul se nuk ka asnjë problem apo çështje personale me Jude Bellingham pas përjashtimit të tij nga lista e Anglisë.
Anglia do të presë Uellsin në një ndeshje miqësore të enjten, përpara se të vizitojë Letoninë në kualifikimet e Botërorit 2026.
Bellingham nuk do të jetë pjesë e skuadrës që Tuchel publikoi të premten.
Mesfushori i Real Madrid mungoi në fitoret ndaj Andorrës dhe Serbisë në shtator për shkak të një operacioni në shpatull dhe që atëherë ka qenë titullar vetëm në një nga katër ndeshjet për skuadrën e Xabi Alonsos.
“Është një lojtar shumë i veçantë, dhe për lojtarë të veçantë mund të ketë rregulla të veçanta, e kuptoj këtë,” tha Tuchel për Bellingham.
“Por për këtë grumbullim vendosëm të qëndrojmë besnikë ndaj vendimit tonë për të ftuar të njëjtën skuadër. Kjo vlen edhe për Jude — ai meriton të jetë gjithmonë pjesë e ekipit.
Mendoj gjithashtu se është situata që ai ende nuk e ka rifituar plotësisht ritmin te Real Madrid. Është rikthyer, por nuk ka luajtur ende një ndeshje të plotë dhe ka qenë titullar vetëm një herë.”
Bellingham kishte shprehur dëshirën për të luajtur në ndeshjet e këtij muaji, por Tuchel theksoi se të dy janë në të njëjtën linjë.
“Ai donte të ishte i ftuar. Patëm një telefonatë; nuk pati asnjë problem nga ajo anë,” shtoi gjermani.
Një tjetër mungesë e dukshme ishte Phil Foden, si edhe Jack Grealish, forma mbresëlënëse e të cilit me huazim te Everton nuk u shpërblye me një ftesë.
“Jo, nuk ka asnjë problem as me Phil Foden, as me Jack Grealish. Të dy janë lojtarë shumë të veçantë,” vazhdoi Tuchel.
“Nuk ka asnjë problem personal. Thjesht duhet të vazhdojnë të punojnë. Ky është një vendim vetëm për këtë grumbullim. Ky ishte kampi më i mirë deri tani për sa i përket shpirtit të skuadrës dhe bashkëpunimit. Vendosëm të ftojmë të njëjtën grup lojtarësh për të bërë më të qëndrueshme atë që kemi ndërtuar.”
Foden kishte filluar të gjente formën e tij me dy gola dhe dy asistime në shtatë paraqitje për Manchester City këtë sezon.
Ndërkohë, trajneri i Cityt, Pep Guardiola, tha se Tuchel e di më mirë se kushdo çfarë i duhet përfaqësueses së Anglisë, por e mbështeti Foden që së shpejti të rikthehet në kombëtare.
“Thomas [Tuchel] e di mijëra herë më mirë se unë se çfarë i nevojitet kombëtares,” tha Guardiola.
“Gjithçka që mund të them është se nëse Phil vazhdon të luajë në këtë formë, ai do të rikthehet.
Jam i lumtur kur lojtarët shkojnë në kombëtare, por jam edhe më i lumtur kur kthehen shëndoshë e mirë, kjo është e sigurt.”