11:57 / E Hënë, 22 Maj 2023 / S Z

Thonj artificial e aksesorë, nuk po shkojnë në dasmë por në QKUK !

Thonj artificial e aksesorë, janë përmendur në raportin për infeksionet brenda spitalore në QKUK, ku thuhet se një ndër shkaktarët e transmetimit të infeksioneve, janë dhe zgjatja e thonjve artificial apo dhe aksesorët tjerë.

E kjo tregon se personeli shëndetësor në QKUK nuk i përmbahet kodit të veshjes, i cili do të duhej të ishte diçka e padiskutueshme për mantelbardhet.

Derisa thonjtë e aksesorët nuk mungojnë në klinikat e QKUK-së, në vendet tjera të zhvilluara për gjëra të tilla as që bëhen fjalë.

Leta Bytyqi, mjeke interniste në Gjermani, thotë se personelit shëndetësor gjatë orarit të punës, nuk i lejohet të mbajnë as orë, as unazë dhe asnjë aksesor tjetër. Ndërkaq për thonj artificial as që bëhet fjalë.

” Këtu në klinika nuk na lejohet të mbajmë as orë, as unazë as zinxhir. Sepse për thonj artificial as që bëhet fjalë. Ne dhe uniformat i kemi me mëngë të shkurta, për shkak të higjienës. Neve mjekëve madje nuk na lejohet as t’i lëshojmë flokët gjatë orarit të punës “, tha ajo.

Edhe infektologu Lul Raka i pyetur  nga “IndeksOnline”, për thonjtë artificial të QKUK-së,  tha se punëtorët shëndetësore të cilat punojnë me pacientët, nuk do të duhej të lejohen të mbajnë thonj artificial,  pasi që kjo është normë themelore, për një punëtorë shëndetësor.

” Nëse duhesh me u kujdes për pacientin s’ka dilema aty. Nuk do të duhej me lejohet të mbajnë thonj nëse ato punojnë me pacientin.  Këto janë norma themelore”, tha ai.

Ndërsa nga drejtoria e ShSKUK-së, i është thënë “IndeksOnline”, se SHSKUK ka një rregullore të miratuar që nga viti 2016, lidhur me veshjen, dukjen e të punësuarve në institucioneve shëndetësore që menaxhohen nga ShSKUK, e cila ende është valide.

“Drejtoria e ShSKUK, ka përsëritur njoftimin, urdhëresën për njësitë dhe tashmë i’u është rikujtuar, në rastet kur vërehet mos zbatim dhe shkelje e saj, do të ndërmerren masat konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Ndërkaq në rregulloren e SHSKUK-së për veshjen dhe dukjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore publike, thuhet se të punësuarve u ndalohet rritja, mbjellja  e thonjve si dhe ngjyrosja me ngjyra të theksuara dhe dizajnimi i tyre. Sipas rregullores, të punësuarit brenda institucioneve shëndetësore publike mund të bartin vetëm unazat e martesës dhe një palë vath diskret nga ari apo argjenti. Ndërkaq stolitë dhe  format e tjera të stolive që shpojnë trupin, ndalohen dhe nuk duhet të mbahen.

Sipas rregullorës, në rast se të punësuarit nuk i respektojnë rregullat e veshjes dhe dukjes, ndaj tyre inicohet procedura disiplinore.

Megjithëse ka një rregullore për mënyrën e veshjes së personelit shëndetësor, siç duket ajo nuk respektohet aspak. Thonjtë, aksesorët, flokë e make- up nuk mungojnë tek punëtoret e ShSKUK-së , të cilët herë pas here nuk dallojnë nga dukja në dasmë, apo në ndonjë event tjetër të kësaj natyre. /Indeksonline/