Thyhet rekordi i Leoas, në Itali shënohet gol për më pak se 4 sekonda

Në Itali është thyer rekordi për sa i përket golit më të shpejt të shënuar.
Goli u shënua në ndeshjen e kategorisë së pestë të futbollit italian, mes SC Mazareses dhe Nissas, që u zhvillua të dielën.
Ishte mbrojtësi i Mazareses, Gioacchino Giardina, i cili shënoi saktësisht pas 3.81 sekondave lojë.
Ai shënoi gol nga gjysma e fushës, që padyshim se do të mbahet mend gjatë për faktin se shkroi një rekord në Itali.
Giardina theu rekordin e Rafael Leaos, i cili në ndeshjen Milan – Sassuolo, kishte shënuar pas 6.76 sekondave.
Mazareses e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 2:1, teksa Giardina pas ndeshjes u shpreh: “Përveç golit tim, e rëndësishme ishte fitorja për të bërë një ndryshim në rezultatet e fundit. E pashë portierin jashtë shtyllave dhe u përpoqa. Ajo që do të vijë do të jetë vetëm publicitet, edhe nëse në moshën time nuk do të ndihmojë shumë, do të jetë vetëm çështje krenarie. Nuk ishte një gjë e përgatitur, pashë portierin jashtë dhe i thashë partnerit tim të lëvizte dhe të mos e prekte topin. E shkelmova, shkoi mirë dhe mora duartrokitjet, përndryshe do të ishte shaka. Mendova për djalin tim, ia dedikova atij, por edhe gruas sime që më mbështet dhe më duron për pasionin që kam për futbollin. Qëllimi ynë, si Mazarese, është të argëtojmë njerëzit, qofshin goli nga mesfusha apo nga një centimetër”.
