75 Mall Live Search
08:21 / E Enjte, 26 Mars 2026 / G T

Tifozët “Dardanë” marshojnë drejt Bratislavës – apel për organizim dhe siguri para ndeshjes

Një numër i jashtëzakonshëm dhe i papërshkrueshëm i tifozëve shqiptarë kanë mbërritur dhe vazhdojnë të grumbullohen në rrugët e Bratisllavës që nga dita e djeshme, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse dhe emocionuese për të gjithë shqiptarët.

Ky mobilizim i madh pritet të kulmojë para ndeshjes së shumëpritur, ndërsa organizatorët dhe tifogrupi u bëjnë thirrje të gjithë tifozëve për respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga autoritetet sllovake, me qëllim që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe të rregullt, shkruan Indeksonline

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë tifozët janë të lutur të paraqiten në vendtakimin e caktuar nga ora 14:00 deri në 17:45, në adresën:
📍 Gelato Point, Laurinská 780/2, 811 01 Staré Mesto, Bratislavë

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se vetëm nga ky lokacion do të mundësohet organizimi i sigurt i hyrjes në stadium. Po ashtu, është planifikuar transport i organizuar për tifozët, si para ndeshjes ashtu edhe pas përfundimit të saj, nën masa të rrepta sigurie dhe shoqërim policor.

Organizatorët theksojnë rëndësinë e qëndrimit në grup dhe shmangies së lëvizjeve individuale, pasi sipas udhëzimeve të autoriteteve, këto mund të paraqesin rrezik të panevojshëm dhe të shkaktojnë probleme.

Tifozët ftohen gjithashtu që të shpërndajnë këtë informacion te të gjithë bashkatdhetarët që ndodhen në Bratislavë apo janë në rrugë drejt saj, në mënyrë që grumbullimi të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të shmangen çdo paqartësi apo vonesë.

Prania masive e tifozëve shqiptarë në Bratislavë pritet të shërbejë si një motiv shtesë për futbollistët dhe stafin e përfaqësueses, duke dëshmuar edhe një herë mbështetjen e palëkundur të një populli të tërë, kudo që ndodhet.